Policia e Hong Kongut arrestoi të shtunën mbi 10 demonstrues dhe përdori shkopinj gome ndaj atyre që morën pjesë në një protestë që synonte të prishte veprimtarinë e biznesin në një qytet shumë pranë kufirit me Kinën.

Duke nisur prej vigjiljes së Krishtlindjeve demonstruesit kanë pasur në shënjestër qendrat tregtare në të gjithë Hong Kongun. Pas një pushimi të shkurtër të premten, më shumë se njëqind protestues, shumë prej tyre të veshur me të zeza e me maska në fytyrë marshuan të shtunën pasdite nëpër një qendër tregtare në Sheung Shui, duke hedhur parulla të ndryshme sikurse “kthehu në Kinë”.

Sheung Shui i cili ndodhet shumë pranë qytetit kinez të Shenzhen-it gëzon popullaritet në mesin e të ashtuquajturve “tregtarë paralelë”, të cilët blejnë mallra pa taksa në sasira të madha dhe i dërgojnë në Kinë për t’u shitur. Tregtarët kanë qenë një burim zemërimi në Hong Kong ku një pjesë i fajëson ata për mbipopull të qytetit, rritje të nivelit të inflacionit dhe çmimit të qerasë.

Protestat në Hong Kong kanë nisur më shumë se gjashtë muaj më parë si përgjigje ndaj një projektligji, i anuluar tashmë, i cili do të lejonte ekstradimet në Kinë ku gjykatat kontrollohen nga Partia Komuniste.

Objekti i protestave ka evoluar në një lëvizje më të gjerë pro-demokracisë dhe ato janë bërë edhe më konfrontuese gjatë sezonit festiv.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA