Athina zyrtare ka nënshkruar një marrëveshje me kompaninë amerikane Lockheed Martin, me qëllim përmirësimin teknik gjatë shtatë viteve të ardhshme, të avionëve luftarakë F-16 që posedojnë forcat e saj të armatosura.
Bëhet fjalë për 84 avionë F-16 të cilët do të përmirësohen deri në 2027 duke kapur nivelin më të lartë Viper në një program që do të kushtojë 1.5 mld dollarë.
Marrëveshja përfshin midis të tjerash programe që lidhen me përmbushjen e nevojave dhe forcimin e aftësive operacionale dhe gatishmërisë së Forcave të Armatosura duke siguruar materiale, pajisje , shërbime dhe zhvillimin e infrastrukturave të tyre, prodhimin e pjesëve shtese të avionëve, instalimin e objekteve ku do të kryhen proceset e veçanta, montimin dhe testimin e sistemeve elektronike.
Marrëveshja që është aprovuar edhe nga parlamenti grek vjen në një periudhë të tensioneve të mëdha diplomatike dhe gjeostrategjike ne Mesdheun Lindor me Turqinë e cila implikohet edhe me krizën në Libi.
Vetëm këtë javë që kaloi sipas burimeve nga Ministria e Mbrojtjes janë regjistruar gati 120 shkelje të hapësirës greke ajrore nga avionë ushtarake turq, të cilat janë interceptuar dhe ndjekur nga avionët grekë, në një moment tepër kritik të përshkallëzimit të pretendimeve për ZEE në Egje dhe Mesdhe, kur Athina vlerëson se Ankaraja kërkon më shumë se kurrë një incident të nxehtë mes dy vendeve.
Top Channel