Astronautja amerikane vendos rekord të ri në hapësirë

29/12/2019 01:39

Astronautja amerikane Christina Koch vendosi të shtunën një rekord të ri për fluturimin më të gjatë në hapësirë të kryer nga një grua. Rekordi i mëparshëm ishte 288 ditë dhe ishte vendosur nga ish-komandantja e Stacionit Hapësinor Peggy Whitson mes viteve 2016-2017.

Dyzet vjeçarja Christina Koch, me profesion inxhiniere elektrike nga Livingstoni i Montanës mbërriti në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor më 14 Mars. Zonja Koch pritet të qëndrojë aty plot 328 ditë, ose afro 11 muaj, përpara se të kthehet në Tokë.

Misionet janë zakonisht gjashtë muajore, por NASA njoftoi në muajin prill se do ta zgjasë misionin deri në shkurt.

Rekordi amerikan për fluturimin më të gjatë në hapësirë është 340 ditë i vendosur nga astronauti Scott Kelly mes viteve 2015-2016. Rekordi botëror është 15 muaj i vendosur në vitet 1990 nga një astronaut rus në ish-stacionin hapësinor Mir.

Misioni i zgjatur i Christina Koch-ut do të ndihmojë NASA-n të mësojë më shumë në lidhje me efektet e fluturimeve të gjata në hapësirë, të dhëna këto të nevojshme sipas zyrtarëve të NASA-n, për të mbështetur misionet e ardhshme për kërkime më të thelluara në hapësirë, në Hënë dhe Mars.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA