Dhjetë ditë pas vendimit të parë, Gjykata e Durrësit liron nga paraburgimi Ahmet Dodën.

Ndërsa Doda ka ankimuar në Apel vendimin e 17 dhjetorit të Gjykatës së Durrësit për masën e sigurisë ”arrest me burg” i njëjti gjyqtar Paulin Cera zëvendëson masën e sigurisë ndaj drejtorit të Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme, Ahmet Doda.

Ai vendos ”detyrim paraqitjeje” dhe ”pezullim të ushtrimit të detyrës publike”, për Dodën akuzuar për shpërdorim detyre pasi në një nga godinat e konvaleshencës humbi jetën oficeri Bajram Hajdarmataj më 26 nëntor. Godina ku humbi jetën oficeri kishte pësuar dëme që në tërmetin e 21 shtatorit.

Lirimi i Dodës ka befasuar në Durrës shumë juristë, pasi në bazë të Kodit të Procedurës Penale gjykata e zbut masën e sigurisë me një më të lehtë vetëm kur nevojat e sigurimit zbuten ose masa e zbatuar nuk i përgjigjet më rëndësisë së faktit ose dënimit që mund të caktohet.

Gjykata e ka argumentuar këtë zëvendësim mase me probleme shëndetësore të Ahmet Dodës, 52 vjecc, i cili ka qenë shtruar në spitalin e burgut me shqetësime kardiake pas arrestimit.

Ndërkohë mbi një nga të arrestuarit për pasojat e tërmetit, pronarin e ish-hotel ”Tropikalit” nuk është marrë parasysh gjendja e rënduar shëndetësore.

Ai së bashku me të shoqen vijojnë të jenë në gjendje të rëndë pasi u dëmtuan nga shembja e godinës, ndërsa Avdulla Osmani 61 vjeç përballet dhe me një tjetër sëmundje të rëndë. Lehtësim të masës së sigurisë për shkak të moshës nuk ka pasur as për 79-vjeçarin Ruzhdi Xheka.

Ditën e hënë pritet të zhvillohet në Apelin e Durrësit, të zhvendosur pranë Gjykatës së Kavajës, seanca për shqyrtimin e ankimimit të bërë nga të arrestuarit e tërmetit lidhur me vendimin e 17 dhjetorit të Gjykatës së Durrësit.
Vendimi

Gjykata, pasi çeli seancën gjyqësore, kreu verifikimin e prezencës së palëve dhe shqyrtoi aktet e fashikullit, provat dhe pretendimet e palëve, të cilët kërkuan:

Mbrojtësit e personit nën hetim: Zëvendësimin e masës së sigurimit personal nga ajo e “Arrestit në burg” në atë të “Detyrimit për paraqitje në policinë gjyqësore”.

Prokurori: Pranimin e kërkesës së kërkuesit. Përveç masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” kërkojmë të caktohet edhe masa e sigurimit “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale.

PËR KËTË ARSYE

Gjykata u tërhoq në Dhomën e Këshillimit dhe si u kthye, në bazë dhe për zbatim të nenit 112 dhe 234, 242 dhe 260/2 të Kodit të Procedurës Penale,

VENDOSI

1. Pranimin e kërkesës.

2. Zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” të caktuar ndaj personit nën hetim Ahmet Doda, me vendimin penal Nr. 393/1, datë 17.12.2019 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, me masën e sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, duke i caktuar edhe masën ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale.

3. Urdhërohet personi nën hetim Ahmet Doda të paraqitet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, të Hënën e parë të çdo muaji, ora 10:00.

4. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim Ahmet Doda nga IEVP Durrës, nëse nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër ligjor.

5. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve në Gjykatën e Apelit Durrës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA