Agim Ismaili, drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, i cili është marrë në mbrojtje pas një telefonate kërcënuese, ka kujtuar sot mikun e tij dhe Dëshmorin e Atdheut, Ilir Ngresi. Komisar Ngresi është vrarë në një atentat të organizuar në vitin 2000.
Ismaili e kujton kolegun e tij si një njeri të vendosur dhe të paepur përballë krimit.
“Vitet ikin, por je e do jesh gjithmone mes nesh, ashtu i vendosur dhe i paepur përballë krimit dhe mik i mirë e i sigurtë në krah”, shkruan Ismaili.
Ilir Ngresi njihet si komisari që hapi dosjet e tmerrshme të Beratit, me serinë e vrasjeve të ndodhura në fund të viteve ’90. Ai u vra në një atentat në qytetin e lindjes, Vlorë, nga Kastriot Jaupi dhe Dritan Zhuka.
Por përpara se të vritej, Ngresi i kishte shpëtuar një tjetër atentati nga Lulzim Caka, i njohur si “i forti i Beratit”.
“Nuk do ta harroj kur atë fytyrë (Lul Cakës)”, ishte shprehur Ngresi pas atentatit në qafën e Koshovicës, në shtator të 2000.
Por Ilir Ngresi nuk arriti të shihte arrestimin dhe dënimin e Lul Cakës edhe për atentatin që i bëri atij, duke qëndruar 16 vite pas hekurave. Caka u lirua nga qelia në korrik të këtij viti, katër muaj përpara afatit, dhe për këtë arsye është shpallur sërish në kërkim.
Ndërkohë që Ilir Ngresi kujtohet si dëshmor nga miqtë, atentatori i tij vijon të jetë i lirë.
Kërcënimi i 3 drejtuesve të burgjeve, ministrja Gjonaj: Po mbrohen nga struktura speciale e 41 Bis
Top Channel