Nga janari deri në nëntor të 2019-ës, 133,270 persona paraqitën kërkesa për azil pranë autoriteteve gjermane.
Kjo shifër përbën një rënie prej 13% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018 raportoi grupi mediatik Funke dhe agjencia e lajmeve Reuters, duke përmendur shifrat e vëna në dispozicion nga Eurostat, zyra e statistikave të BE-së.
Gjermania vazhdon të mbetet ende destinacioni kryesor në Evropë për azilkërkuesit, pavarësisht rënies së numrit të tyre. Ndërkohë, përpara disa javësh një raport i ri tregoi se shanset e marrjes së azilit varen nga shumë nga vendi ku aplikon. Ai tregonte se mundësitë që të fitohet statusi i azilantit janë shumë më të ulëta në “Berlin, lindje të Gjermanisë dhe Bavari”.
Raporti u bazua në informacione nga Ministria e Brendshme në përgjigje të një peticioni nga partia opozitare E Majta. Që prej valës masive të emigrantëve në 2015-ën, ka pasur ankesa se nuk ka personel të mjaftueshëm të kualifikuar dhe të trajnuar siç duhet për trajtimin e çështjeve të azilit. Në shumë qytete, përfshirë Berlinin, refugjatët dhe emigrantët mund të presin në radhë që pa gdhirë dita.
Aplikantët për azil mund të lihen në harresë për muaj të tërë apo edhe vite teksa kërkesa e tyre shqyrtohet, e gjatë kësaj kohe nuk kanë të drejtë të punojnë.
Top Channel