Rama dhe Veliaj i dorëzojnë çelësin e banesës së re familjes Stafa në Picallë: Mbyllim rindërtimin e shtëpive të dëmtuara të 21 shtatorit

26/12/2019 16:20

Mynyr Stafa, bashkëshortja dhe tre fëmijët e vegjël, bashkë me nënën e tyre të moshuar mbetën jashtë nga tërmeti i shtatorit, por Vitin e Ri do ta presin në shtëpinë e re, ashtu sikundër të gjithë ata që sot jetojnë çadra në oborret e tyre në fshat, si pasojë e tërmetit të madh, Vitin e Ri 2021 do ta presin në shtëpi të reja, shumë më të mira se sa ato që humbën në fatkeqësinë e 26 nëntorit.

Kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Veliaj ishin sot në Picallë të Petrelës ku i dorëzuan çelësat e shtëpisë së re e cila u ndërtua në kohë rekord brenda 60 ditëve me hapësira shumë herë më të mëdha dhe me të gjitha kushtet e nevojshme, përfshirë dhe mobilimin.

Kreu i Bashkisë Erion Veliaj nënvizoi se deri në Natën e Vitit të Ri përmbyllet rindërtimi i banesave të dëmtuara nga tërmeti i 21 shtatorit, ndërkohë që deri më tani janë dhënë 2100 bonuse qiraje për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Deri në natën e Vitit të Ri çfarë kanë qenë të shtatorit do i kemi mbyllur. Sot miratuam dhe 300 qira të tjera, kështu që në Tiranë kemi shkuar në 2100 qira 100 për qind, ndërkohë ju sot na akorduat fondin për të bërë studimin e pallateve dhe në momentin ë ne bëjmë studimet e thella kemi nxjerrë disa pallate të rikuperueshme, japim një njoftim një muaj dhe ju themi: Do rikthesh në pallat dhe mbaron qiraja. Sepse dhe njerëzit e kanë atë dëshirën të rikthehen në normalitet. Do ecim shpejt”, theksoi Veliaj.

Kryeministri Rama theksoi rëndësinë që ka politika e sigurimit të banesave për dëmet që vijnë fatkeqësitë natyrore.
Familjarët falënderuan kreun e qeverisë, si dhe kryebashkiakun Veliaj për gjithë angazhimin dhe mbajtjen premtimit për rindërtimin e banesës.

Bashkë me qeverinë, në kryeqytet janë strehuar nga Bashkia e Tiranës edhe shumë prej familjeve të cilat humbën pjesëtarë në Durrës dhe Thumanë duke nisur një jetë të re. Bashkia është përkujdesur që krahas ofrimit të një banese me kushte komode, të ofrojë edhe mbështetje të vazhdueshme me shërbim social dhe shëndetësor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA