Rama dhe Veliaj i dorëzojnë çelësat e dy banesave të reja 9 pjesëtarëve të familjes Zela

25/12/2019 18:34

Kudo në botë Krishtlindjet simbolizojnë rilindjen e shpresës dhe të mirës. E tillë ishte edhe ky 25 dhjetor për pjesëtarët e familjes Zela  të cilët do të gjendeshin të pastrehë  më 21 shtator si pasojë e lëkundjeve të forta sizmike që do të shkatërronin pothuajse tërësisht banesën e tyre të vjetër në Vaqarr ku jetonin nën një çati 9 persona.

Por sot  ata kanë marrë prej kryeministrit Edi Rama dhe Kryebashkiakut Erion Veliaj çelësat e banesave të reja, që ofrojnë edhe më shumë hapësirë dhe kushte optimale.

Në njërën hyrje 2+1 do të jetojnë pesë pjesëtarët e familjes së Edmond Zelës, ndërsa në tjetrën po 2+1 do të jetojnë mamaja e tij e moshuar dhe tre vëllezërit e tjerë.

“Shtëpia e re e familjes Zela, që u godit keqaz nga tërmeti i shtatorit, çel dyert në ditën e bekuar të Krishtlindjeve bashkë me urimin për shëndet, mbarësi e jetë të lumtur familjare”, u shpreh Rama.

E ndërsa u dha dhuratat fëmijëve të familjes bashkë me Veliajn, kryeministri kishte vetëm një kërkesë. “Si e kishe atë shtëpinë tjetër copë copë, shiko këtë tani, nuk ke justifikim, dhe nuk po të kërkojmë të bësh ndonjë punë, por të na sjellësh ca 10-ta në shtëpi. Kur i sjell ti 10-tat, a di si janë për mamin? Si ato çokollatat atje “, tha kryeministri. Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se në kryeqytet do të ketë edhe shumë shkolla të reja të cilat do të ndërtohen për fëmijët. “Me projektin e rindërtimit do të kemi riparime në shumë shkolla, por mbi të gjitha do të bëjmë dhe shumë shkolla të reja”, tha Veliaj.

Sikurse premtoi kryebashkiaku Veliaj, banesat e dëmtuara nga tërmeti i 21 shtatorit dhe që u shpallën të pabanueshme janë rindërtuar nga e para, por tashmë shumë herë më të forta dhe të mobiluara duke ofruar të gjitha kushtet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA