Një operacion i forcave detare britanike në ujërat e Lindjes së Mesme, ka bërë të mundur që të konfiskojnë 11 thasë me metanfetaminë të pastër. Vlera e drogës llogaritet rreth 3 milionë e 800 mijë euro.
Anija britanike “HMS Defemder” ishte duke kryer një patrullim rutinë në këto ujëra. Gjatë patrullimit ata shikuan një anije të dyshimtë që lundronte në ujërat e Detit të Arabisë.
Pasi dyshonin që në të zhvillohej aktivitet i paligjshëm, ushtarët britanikë rrethuan anijen dhe hipën në bord për ta kontrolluar. Nga kontrolli i kryer prej forcave detare britanike rezultoi që në anije gjendeshin 131 kilogram substancë narkotike metanfetaminë. Në një komunikatë për mediat zyrtarët britanikë njoftuan se anija e dyshimtë fillimisht ishte identifikuar nga një helikopter.
Duke parë që ajo nuk ishte e pajisur me flamurë u ngritën dyshimet që anija nuk ishte thjesht një anije peshkimi, ndaj dhe ndërmorën këtë operacion. Anija ushtarake “HMS Defender”, është dërguar për patrullim në ujërat e Lindjes së Mesme që nga muaji gusht i këtij viti për shkak të mungesës së sigurisë në “Gjirin Persik”.
“BBC” shkruan se Britania e Madhe ka rreth 11 mijë ushtarë të angazhuar në operacione të ndryshme në 30 shtete, përfshirë Afganistanin , Sudanin Jugor, Somalinë dhe Estonin.
Top Channel