Zyrtarët nga Rusia dhe Ukraina kanë treguar detajet e marrëveshjes së re pesëvjeçare, për transportin e gazit rus në Evropë përmes Ukrainës.
Lidhur me arritjen e kësaj marrëveshjeje fillimisht u raportua në orët e vona të 20 dhjetorit, duke i dhënë fund kështu shqetësimeve se Evropa do të mbeste pa sasi të mëdha të gazit rus, që kryesisht përdoret për ngrohje dhe industri.
Rusia dërgon rreth 40 për qind të furnizimit të gazit në Evropë, përmes tubacioneve që kalojnë përmes Ukrainës. Marrëveshja aktuale për transportin e gazit skadon në fund të këtij viti dhe shqetësimet lidhur me vonesat për arritjen e një marrëveshjeje të re, shkaktuan shqetësim në vendet evropiane.
Zyrtarët në Moskë dhe Kiev thanë se planifikojnë që të nënshkruajnë marrëveshjen e re para vitit të ri.
Ministri i Energjisë së Ukrainës, Oleksiy Orzhel tha sot se marrëveshja parasheh dërgesat e rreth 65 miliardë metër kub përmes Ukrainës në vitin 2020 dhe më pas dërgesat vjetore do të jenë prej 40 miliardë metër kub.
Këto sasi të dërgesave të gazit janë më të vogla sesa Rusia ka dërguar në Evropë përmes Ukrainës viteve të fundit. Moska po punon në mënyrë intensive për të krijuar rrjete të reja të dërgesave përmes Ukrainës.
Këto rrjete të dërgesave përfshijnë edhe Rrjedhën Veriore 2, gazsjellësi i cili është duke u ndërtuar nëndet nga Rusia dhe Gjermania. Por, e ardhmja e këtij gazsjellësi është në pikëpyetje, për shkak se Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se do të vendosin sanksione për këtë tubacion.
Në marrëveshjen e re ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë po ashtu përfshihet edhe një pagesë nga Moska prej 2,9 miliardë dollarësh për një çështje që kishin dërguar më parë në arbitrazh lidhur me transportin e gazit.
Ukraina ka ndaluar së importuari gaz nga Rusia më 2015, pasi Moska, kishte dërguar trupat e saja në Krime, territor të cilin më pas e aneksoi.
Në vend të importit direkt të gazit nga Rusia, Ukraina blen gaz nga shtetet si Sllovakia, Polonia dhe Hungaria./REL
Top Channel