Qeveria gjermane ”ka pranuar me keqardhje” vendimin e SHBA-së për të lejuar sanksionet ndaj kompanive ose personave të huaj të përfshirë në ndërtimin e gazsjellësit “Nord Stream 2”, që transporton gaz rus nën detin Baltik drejt Gjermanisë.
“Qeveria federale refuzon këto lloj sanksionesh jashtëterritoriale”, deklaroi sot zëdhënësja Ulrike Demmer.
“Ato prekin kompanitë gjermane dhe evropiane, si dhe ndërhyjnë në punët tona të brendshme”, shtoi ajo.
Presidenti amerikan Donald Trump, nënshkroi dje një projektligj të shpenzimeve të mbrojtjes prej 738 miliardë dollarësh.
Ky legjislacion përfshiu sanksione ndaj anijeve të angazhuara në vendosjen e tubacioneve për “Nord Stream 2” dhe “Turkstream”, ky i fundit një tjetër gazsjellës rus që do të transportojë gaz për në Turqi, ose persona të huaj që ndihmojnë këto anije.
Legjislacioni i jep presidentit Trump 60 ditë për të vendosur këto masa.
Duke pasur vëmendjen në bisedimet e vazhdueshme mes Moskës dhe Kievit për transportin e gazit rus përmes Ukrainës në Evropë, Demmer deklaroi se masa të tilla amerikane që u krijuan veçanërisht me mbrojtjen e Ukrainës ishin të pakuptueshme.
Top Channel