Koreja e Veriut u përgjigjet kritikave të Uashingtonit për shkeljen e të drejtave të njeriut

21/12/2019 16:51

Koreja e Veriut iu përgjigj sot kritikave të Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut, duke paralajmëruar Uashingtonin që “do ta paguante shtrenjtë” për ato që i quajti vërejtje “të pamatura”.

Ministria e Punëve të Jashtme e Koresë së Veriut ngriti posaçërisht çështjen nga një intervistë e Zërit të Amerikës me një zyrtar të lartë të Departamentit të Shtetit, i cili tha se Shtetet e Bashkuara mbeten “thellësisht të shqetësuara” për abuzimet e të drejtave të njeriut në Korenë e Veriut.

“Fjalë të tilla keqdashëse që vijnë në këtë kohë kur marrëdhëniet mes të dy vendeve po arrijnë në një pikë tejet delicate, do të çojnë në përkeqësimin e mëtejshëm të situatës tashmë të tensionuar në gadishullin Korean, dhe janë si t’i hedhësh benzinë zjarrit”, tha ministria e Koresë së Veriut në një deklaratë të botuar në Agjencinë Qendrore të Lajmeve Koreane.

Komentet vijnë në një moment veçanërisht të tensionuar. Koreja e Veriut, e cila i ka premtuar Shteteve të Bashkuara një dhuratë ogurzezë për Krishtlindje, ka kërcënuar të largohet nga bisedimet bërthamore dhe të rifillojë provokimet e mëdha, siç është një provë bërthamore ose lëshimi i raketave me rreze të gjatë veprimi.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu po rrisin gradualisht presionin ndaj Veriut. Departamenti i Shtetit të premten rivendosi Korenë e Veriut në listën e vendeve që shkelin liritë fetare. Në të njëjtën ditë, Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi gjithashtu legjislacionin që shtrëngon sanksionet ndaj Phenianit.

Koreja e Veriut nuk ka komentuar për lëvizjet e fundit. Në vend të kësaj, ajo protestoi ndaj një interviste të enjten që korrespondentja e Zërit të Amerikës Nike Ching zhvilloi me Robert Destro, ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit tpër demokracinë, të drejtat e njeriut dhe punën.

“Ne mbetemi thellësisht të shqetësuar për atë që po ndodh në Korenë e Veriut,” i tha zoti Destro Zërit të Amerikës. “Unë mendoj se prova e besueshme që vijnë nga Koreja e Veriut flasin vetë”.

Destro mbrojti politikën e administratës Trump për të ndjekur negociatat me Korenë e Veriut ndërsa kritikoi shkeljen e të drejtave të njeriut nga Pheniani./voa

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA