Shumica e qytetarëve të BE-së janë kundër zgjerimit, vetoja franceze ishte pasojë e mungesës së progresit, vendet kandidate nuk mund të avansojnë të vetme – këto janë disa nga dhjetë mitet që anëtarët e Grupit Këshillimor të Politikave të Ballkanit në Europë (BiEPAG) përpiqen të rrëzojnë në dokumentin e tyre non-paper mbi zgjerimin e BE-së.
Miti i parë që merret ky dokument është ai se vetoja mbi çeljen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërinë është pasojë e mungesës së përparimit të këtyre vendeve. Në fakt, kundërshtimet e presidentit francez Macron, theksohet aty, janë rezultat i rezervave të forta në lidhje me pranimet e mëparshme dhe një skepticizëm të zgjatur ndaj zgjerimit që vihet re mes elitës franceze apo dhe shqetësimeve mbi rolin në rënie të BE-së.
Studiuesit e BiEPAG-it shkruajnë se procesi i zgjerimit ka qenë në krizë për vite me radhë, e thonë se ai është aktualisht me “pilot automatik” dhe një angazhim të limituar nga shtetet anëtare.
Për rrjedhojë, “vendet e Ballkanit Perëndimor hiqen sikur po kryejnë reforma, dhe Bashkimi Europian e anëtarët e tij hiqen sikur janë të kënaqur me përparimin e kufizuar në rajon,” thuhet në dokument, ku sqarohet se pavarësisht negociatave disa vjeçare me Malin e Zi dhe Serbinë, rezultatet kanë qenë minimale. Sipas non-paper-it, procesi i pranimit në BE shpesh perceptohet si shumë burokratik.
Një nga “mitet” e diskutuara aty është ai se qytetarët e BE-së janë kundër zgjerimit. Autorët argumentojnë se mbështetja për BE-në dhe institucionet e saj është në nivel rekord, 46% pro dhe 42% .
“Fakti që disa nga mbështetësit më të mëdhenj të zgjerimit, si Austria dhe Gjermania, dhe kritikët më të mëdhenj të saj, si Franca dhe Hollanda, kanë një popullsi skeptike në të njëjtën masë, nuk tregon se angazhimi strategjik i elitave për zgjerimin është rezultat i mendimit popullor , por përkundrazi se skepticizmi mes votuesve po përdoret si justifikim, “thekson dokumenti.
Top Channel