Arbitrazhi shqyrton apelin shqiptare/ Më herët u pezullua vendimi për gjobën 110 milionë euro

21/12/2019 15:17

Gjykata ndërkombëtare e arbitrazhit ka nisur zyrtarisht shqyrtimin e apelit të qeverisë shqiptare ndaj vendimit për gjobën 110 milionë euro në favor të biznesmenit italian Francesco Beketi.

Tre ditë më parë, gjykata me seli në Uashington, zhvilloi seancën e parë gjyqësore përmes një konference telefonike me përfaqësuesit e dy palëve të përfshira në konflikt, avokaturës të shtetit shqiptare dhe kompanisë italiane Hydro s.r.l.

Seanca e parë e gjyqit shërben për të njohur qëndrimet e palëve mbi çështjen dhe detajet proceduriale të procesit. Paralelisht në këtë seancë është përcaktuar edhe kalendari i gjyqit përfshirë vendet ku do të zhvillohen seancat.

Në prill të vitit të kaluar, gjykata e dënoi Shqipërinë me 110 milion euro, duke gjykuar se mbyllja e televizionit në pronësi të biznesmenit italian Beketi ishte “motivuar politikisht”. Menjëherë pas shpalljes, qeveria e apeloi vendimin duke i kërkuar gjykatës pezullimin e ekzekutimit të gjobës dhe rikthimin e çështjes për gjykim. Kërkesa u pranua dhe muajin e kaluar gjykata caktoi komisionin ad hoc, të përbërë nga tre gjyqtarë, i cili do të shqyrtojë pretendimet e paraqitura nga pala shqiptare në apel.

Përgjatë kësaj kohe, biznesmeni italian Beketi ka kërkuar disa herë heqjen e pezullimit të gjobës, por deri tani gjykata nuk e ka marrë një vendim të tillë.

Gjoba rekord prej 110 milionë euro përfaqëson vlerën më të lartë me të cilën Shqipëria është dënuar nga një gjykatë arbitrazhi. Me apelimin, qeveria shpreson të rrëzojë vendimin e parë, ose në rastin më të keq të zbusë gjobën 110 milionë euro, e cila në kushtet aktuale përbën thuajse një goditje knock outi për financat e drobitura të shtetit shqiptar.

Klodian Tomorri

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA