Buxheti i ri i Greqisë/ Ulet 8% e taksa mbi pasurinë e paluajtshme, reduktohet taksa e solidaritetit

20/12/2019 00:37

Deputetët e partisë qeveritare kanë pritur në parlament me duartrokitje miratimin e buxhetit për vitin 2020. 158 ligjvënësit e Demokracisë së Re që kanë votuar pro nga 297 të pranishëm në sallë, kanë dëgjuar fjalimin e kryeministrit Mitsotakis i cili ka theksuar se në këtë buxhet parashikohet një ulje e mëtejshme prej 8% e taksës mbi pasurinë e palujtshme si dhe një reduktim i taksës së solidaritetit për shtresat në nevojë.

“Buxheti i ri lehtëson shtresën e mesme dhe kujdeset për shtresat e varfra nëpërmjet uljes së taksave. Por krijon gjithashtu hapësirë jetike për zhvillim dhe prosperitet”- tha kryeministri Mitsotakis.

Ndërkohë kreu i partisë opozitare Syriza, Aleksis Tsipras e ka cilësuar buxhetin e ri me karakter të njëanshëm në favor vetëm të një pakice të pasurish ndërsa ka sjellë një sërë faktesh sipas të cilave qeveria e re ka mashtruar qytetarët grekë.

“Është një buxhet që favorizon vetëm një klasë dhe përbën mashtrim politik, është maja e një sërë mashtrimesh që karakterizojnë Demokracinë e Re të z. Mitsotakis edhe para edhe pas zgjedhjeve”- tha Tsipras.

Deputetet e partisë Syriza kanë miratuar në ligjet e buxhetit vetëm nenet për programet e shpenzimeve në armatime të Ministrisë së Mbrojtjes. Ndërsa në lidhje me nenet e tjera ata kanë kritikuar politikat ekonomike qeveritare për vitin e ardhshëm, të cilat sipas tyre nuk parashikojnë asnjë të mirë për shumicën e qytetareve, për shëndetin, arsimin dhe mirëqenien.

Nga ana e saj qeveria Mitsotakis thekson se politikat e saj nuk bazohen në dhënien e ndihmave sociale, por në reduktimin e taksave dhe krijimin e vendeve të reja të punësimit me të ardhura të larta. Sipas Institutit kombëtar të Statistikave një në pesë grekë të punësuar është paguar gjatë këtij viti me më pak se 500 euro në muaj.

Nga Aleksandër Marku

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA