“Shkarkohet Trump”, Republikanët reagojnë ashpër: Tërbim i motivuar politikisht

19/12/2019 19:34

Lideri republikan i Senatit në SHBA, Mitch McConnell reagoi ashpër ndaj miratimit të akuzave kundër presidentit Donald Trump nga Dhoma e Përfaqësuesve. Për McConnell, dhoma e kontrolluar nga demokratët lejoi që “tërbimi i saj i motivuar politikisht” të krijonte një precedent toksik, i cili do të jehojë edhe në të ardhmen.

“Demokratët e kishin ndarë mendjen për ta shkarkuar Trumpin që përpara se ai të bënte betimin si president. Hetimi ndaj tij mori shumë më pak kohë sesa ato për Bill Klintonin dhe Richard Nixon. Kjo ishte baza më e dobët që ka pasur ndonjëherë Dhoma e Përfaqësuesve për të miratuar një shkarkim presidencial në historinë e Amerikës”, është shprehur McConnell.

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan miratoi mbrëmjen e së mërkurës dy akuza për shkarkimin e Trump, hera e tretë në histori që një President i nënshtrohet procesit të shkarkimit në bazë të shkeljeve të parashikuara në Kushtetutë. Votimi historik, i ndarë prerazi në vija partiake, ashtu siç është ndarë mbarë vendi për këtë çështje, e akuzon presidentin e 45-të për abuzim të pushtetit të zyrës së tij, pasi i kërkoi një vendi të huaj të hetojë rivalin e tij politik për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Akuza e dytë është për pengim të hetimeve të Kongresit për këtë çështje. Gjyqi ndaj presidentit do të zhvillohet në Senat. Nëse Senati e shpall presidentin të pafajshëm, ashtu siç pritet të ndodhë sepse ai kontrollohet nga republikanet, Trump do t`ia hedhë paq, por të hyjë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale me barrën e një kandidati të akuzuar nga Dhoma e Përfaqësuesve. Gjyqi ndaj presidentit pritet të zhvillohet në muajin janar. Për shkarkimin e presidentit duhen dy-të-tretat e votave të Senatit prej 100 vendesh ku për largimin e shefit të shtëpisë së bardhë pritet të votojnë pak, në mos edhe asnjë republikan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA