Treguesit e financave të shtetit u përkeqësuan më tej në nëntor teksa qeveria mblodhi në buxhet 53 milionë euro të ardhura më pak se sa plani i parashikuar i muajit.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se gjatë muajit që lamë pas qeveria mblodhi nga taksat dhe burimet e tjera financiare 306 milionë euro nga 359 milionë që ishte plani I buxhetit.
Vetëm si pasojë e deficitit të shënuar në muajin nëntor, shifra totale e mosrealizimit të të ardhurave për 11 mujorin është dyfishuar. Kjo do të thotë se për periudhën janar nëntor qeveria ka mbledhur mbi 116 milionë euro më pak nga sa kishte parashikuar të mblidhte.
Ecuria e dobët në mbledhjen e të ardhurave ka nisur të japë efektet e para negative edhe në krahun e shpenzimeve. Për herë të parë në nëntor, qeveria shtrëngoi rimbursimin e TVSH-së për biznesin. Për shkak edhe të borxheve të prapambetura me TVSH-në, për këtë vit qeveria u angazhua të rimbursojë 1.6 miliardë lekë ose 13 milionë euro TVSH çdo muaj për biznesin.
Por ndonëse deri në tetor ky zotim u respektua, në muajin nëntor qeveria e theu duke kthyer vetëm 1 miliardë lekë tvsh për biznesin ose 60 për qind më pak se plani. Tkurrja e rimbursimit të TVSH-së bën presion për rritjen e mëtejshme të borxheve të prapambetura që qeveria i ka biznesit.
Por rimbursimi nuk është zëri i vetëm i shpenzimeve me mosrealizim. Edhe investimet publike kanë të njëjtën ecuri. Sipas të dhënave nga ministria e financave për periudhën janar nëntor qeveria ka investuar në ekonomi mbi 125 milionë euro më pak se sa plani, çka dëmton rritjen ekonomike por edhe punësimin.
Klodian Tomorri
Top Channel