Një anketë e Institutit të Shëndetit Publik dhe Institutit të Statistikave (INSTAT) zbuloi se në dhjetë vjeçarin e fundit prevalenca e anemisë tek fëmijët nga 3 në 59 muajsh është zgjeruar me 17%.
Sipas anketës, një në katër fëmijë të moshës 6-49 muajsh janë anemikë. Prevalenca e sëmundjes është më e lartë në grupmoshat 6-17 muaj se tek të rriturit nga 18 në 59 vjeç.
Anemia shfaqet edhe kur qelizat e kuqe të gjakut përmbajnë sasi të pamjaftueshme të hemoglobinës, një proteinë e pasur me hekur. Hemoglobina ndihmon në transportin e gjakut të pasur me oksigjen në pjesë të ndryshme të trupit, ndaj kur ajo nuk mjafton, trupi është i plogësht dhe pa energji.
Anemia është rezultat i një sëmundjeje të fshehur që mund të jetë serioze ose jo. Ajo shfaqet në rastet e pamjaftueshmërisë së hekurit, kancerit të zorrës së trashë, shtatzënisë, dhe sëmundjeve celiake.
Një nga simptomat më të pazakonshme të anemisë ndodh tek disa njerëz që vuajnë nga kjo sëmundje që nxitet nga mungesa e hekurit. Kjo simptomë quhet pica dhe ka të bëjë me përtypjen dhe gëlltitjen e produkteve të pangrënshme siç janë plastika, kartoni e të tjerë.
Ndryshe nga rasti i kolesterolit dhe tensionit të gjakut, anemia nuk është pjesë e problemeve rutinë, për të cilat mjekët kërkojnë kryerjen e analizave. Kur njerëzit ankohen për plogështi dhe lodhje, mjekët zakonisht rekomandojnë kryerjen e analizave të gjakut. Nëse këto tregojnë rënie të nivelit të hemoglobinës, atëherë mjeku do të bëjë një ekzaminim më të thellë të situatës.
Anemia është një sëmundje që përparon në mënyrë të ngadaltë, e megjithatë në shumicën e rasteve ajo tregon praninë e një një sëmundjeje të fshehur. Zbulimi i shkakut është kyç për trajtimin e anemisë.
Qarku i Dibrës shënon nivelin më të lartë të rasteve të anemisë. 44 përqind e fëmijëve të moshës 6-59 muaj në këtë qark janë anemikë. Qarku i Vlorës renditet i dyti me rreth 35% të fëmijëve të grupmoshës së lartpërmendur që janë anemikë. Ndiqet nga Qarku i Elbasanit me 28% të fëmijëve dhe Qarku i Gjirokastrës me 28%.
Niveli më i ulët i anemisë besohet të jetë në Tiranë me 18 % të fëmijëve dhe në qarqet e Lezhës dhe Fierit përkatësisht me nga 20% secila./AgroWeb.org
Top Channel