Me 12 vota pro dhe 5 kundër, Komisioni i Ekonomisë miratoi vendimin e qeverisë për të shkarkuar Arben Malajn nga këshilli mbikqyrës.
Votimi për shkarkimin e Malajt u bë pa praninë e mediave, por seanca dëgjimore ishte publike.
“Në ç’masë unë kam cenuar pavarësinë e Bankës së Shqipërisë me qëndrimet e mia publike. Atyre deklaratave u qëndroj të gjitha, pavarësisht se mund të kem mërzitur lali Erin apo Taulant Ballën. Unë nuk tërhiqem nga deklaratat”, shprehet Malaj.
Zoti Malaj e quajti vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij si një ferman sulltanor të jashtëligjshëm duke i dhënë edhe një mesazh kryeministrit.
“Në këtë ballafaqim sot jam inspiruar nga presidenti Xheferson. Ajo që u duhet tiranëve dhe neodiktatorëve për të instaluar diktaturat është vetëm heshtja e njerëzve me vetëdije”, thotë ai.
Ndërsa për 28 kolegët e tij socialist që iniciuan procesin e shkarkimit bëri një krahasim ironik.
“Ju po të kishit mundësi do të shkarkonit dhe papën sepse edhe ai po demokratizon bankën e Vatikanit”, shton më tej.
Malaj tha se shkarkimi i tij është një proces i montuar politikisht, të cilin do ta ndjekë deri në gjykatën e Strasburgut.
“Nuk është aq e lehtë që ngrihet Edi Rama natën dhe i çon mesazh Erjon Braces për të shkarkuar Arben Malajn në mëngjes. Pjesës politike unë do ti përgjigjem në parlament dhe ja kam thënë Edi Ramës me poezinë e Reshat Arbanës ku do ti shpjegojë se ca po bën keq dhe pse duhet ndalur për të mirën e tij dhe për të mirën e shqiptarëve”, shton ai në fjalën e tij.
Vendimi i qeverisë për shkarkimin e Malajt do të votohet nga parlamenti në seancën plenare të së mërkurës.
Klodian Tomorri
Top Channel