Në kulmin e debateve nga grupet e interesit, komisioni parlamentar i ligjeve vetëm me dy vota kundra, miratoi nen për nen duke bërë disa ndryshime në projektligjin që synon dhënien fund të informalitetit tek portalet.
Për këtë ka reaguar edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha i cili thotë: “Në vend që sivjet të gëzonim 30 vjetorin e rënies së murit të Berlinit dhe fillimit të revolucionit të kadifenjtë që shembi komunizmin në Europën Lindore, ne po përballemi me rikthimin e nenit 55 për Agjitacion dhe Propagandë të kohës së diktaturës.
Dy projektligjet e propozuara mund të konsiderohen vetëm paketë “Anti-Fjalës së Lirë” sepse i akordojnë AMA-s dhe AKEP-it kompetenca gjyqësore, i shndërrojnë këto dy institucione në censorë me forcë kërcënuese e sanksionuese kundër mediave të lira”.
“I bëj thirrje përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha shteteve të tjera mike demokratike, që të bëjnë presion ndaj qeverisë së Edi Ramës për të mos ndërmarrë këtë veprim të rëndë kundër lirisë së shprehjes. Po ashtu kërkoj ndihmën e Bashkimit Europian, Këshillit të Europës dhe të gjitha organizatave ndërkombëtare që të kërkojnë prej qeverisë shqiptare t’ju përmbahet angazhimeve të ndërmarra për lirinë e shprehjes në kuadër të konventave dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare ku Shqipëria bën pjesë”, thotë ai më tej.
Postimi i plotë
Liria e shprehjes është themeli i demokracisë dhe çelësi i gëzimit të çdo të drejte tjetër të njeriut, prandaj të gjithë duhet të angazhohemi kundër paketës ligjore të qeverisë që synon ta cënojë këtë liri dhe të censurojë mediat.#MOSnaPREKfjalën
Të nderuar qytetarë,
Në këto ditë të vështira të përballimit të pasojave të katastrofës humanitare të tërmetit do kisha preferuar që e gjithë koha dhe vëmendja ime të ishte në funksion të bashkëqytetarëve të prekur dhe të mos isha i detyruar tu drejtohesha me këtë mesazh.
Mirëpo rëndësia që ka liria e shprehjes për demokracinë tonë dhe kërcënimi i rëndë që po i vjen kësaj lirie thelbësore nga paketa ligjore e propozuar prej qeverisë, më kanë detyruar mua dhe gjithë opozitën e vendit për t’u angazhuar në kundërshtim të saj.
Ajo që na ndodhi nuk ishte vetëm një fatkeqësi natyrore, por edhe një fatkeqësi njerëzore, sepse po mos të kishim pasur abuzimin, papërgjegjshmërinë, neglizhencën apo paaftësinë e zyrtarëve të kësaj qeverie, numri i viktimave dhe dëmet do të kishin qenë shumë më të vogla.
Mirëpo në vend që qeveria të merrej me ndihmën ndaj të dëmtuarve dhe me vënien para përgjegjësisë ligjore të zyrtarëve të saj përgjegjës, ajo është duke e përdorur politikisht këtë katastrofë për të bërë show mediatik populist dhe për të fshehur një tërmet që po i shkakton themeleve të lirisë dhe demokracisë në Shqipëri.
Në kushtet kur opozita, mediat, shoqëria civile, mbarë kombi shqiptar e ka vëmendjen të përqendruar tek plagët e hapura nga tërmetet e 21 shtatorit dhe 26 nëntorit, tek qytetarët e pastrehë që po ballafaqohen me dimrin në kushte të mjerueshme nëpër çadra, qeveria po përpiqet që prapa krahëve të na kontrabandojë një paketë ligjore e cila synon të kthejë censurën në Shqipëri.
Liria e shprehjes është themeli i demokracisë dhe është çelësi i gëzimit të të drejtave të tjera civile politike dhe ekonomiko-sociale. Si mund të mbrosh të drejtat e tjera po nuk pate të drejtën themelore që të ngresh zërin kundër padrejtësive dhe shkeljeve!
Në vend që sivjet të gëzonim 30 vjetorin e rënies së murit të Berlinit dhe fillimit të revolucionit të kadifenjtë që shembi komunizmin në Europën Lindore, ne po përballemi me rikthimin e nenit 55 për Agjitacion dhe Propagandë të kohës së diktaturës.
Dy projektligjet e propozuara mund të konsiderohen vetëm paketë “Anti-Fjalës së Lirë” sepse i akordojnë AMA-s dhe AKEP-it kompetenca gjyqësore, i shndërrojnë këto dy institucione në censorë me forcë kërcënuese e sanksionuese kundër mediave të lira.
Këtë sulm kundër lirisë së shprehjes, e kanë artikuluar më së miri dhjetëra organizata të ndryshme të mediave, nga brenda e jashtë vendit, të cilat e kanë denoncuar këtë paketë ligjore e i kanë bërë thirrje qeverisë shqiptare që të tërhiqet prej saj.
Gjithashtu, është e turpshme për vendin dhe popullin tonë që qeveria Rama po shtyn me arrogancë një paketë ligjore të kundërshtuar me forcë nga OSBE-ja në të njëjtin vit që Shqipëria ka kryesimin e OSBE-së.
Ky veprim nuk është rastësi, por është hapi i radhës i kësaj qeverie që po degradon në autoritarizëm, për të fshehur dështimet, korrupsionin dhe kriminalizimin e saj, nëpërmjet censurës.
Prandaj duke mbështetur organizatat e mediave që janë angazhuar në mbrojtjen e lirisë së shprehjes, i bëj thirrje qeverisë që të heqë dorë nga paketa ligjore despotike që ka përgatitur.
I bëj thirrje përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha shteteve të tjera mike demokratike, që të bëjnë presion ndaj qeverisë së Edi Ramës për të mos ndërmarrë këtë veprim të rëndë kundër lirisë së shprehjes.
Po ashtu kërkoj ndihmën e Bashkimit Europian, Këshillit të Europës dhe të gjitha organizatave ndërkombëtare që të kërkojnë prej qeverisë shqiptare t’ju përmbahet angazhimeve të ndërmarra për lirinë e shprehjes në kuadër të konventave dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare ku Shqipëria bën pjesë.
Por ajo që është më e rëndësishmja, ju ftoj ju të dashur bashkëytetarë pa dallim, që pa lënë anash solidaritetin tonë ndaj viktimave të fatkeqësisë natyrore dhe njerëzore të tërmeteve, të mobilizohemi për të penguar me të gjitha forcat këtë atentat kundër lirisë së fjalës në vendin tonë. Kjo qeveri nuk do mund të na e mbyllë gojën!
Top Channel