Në studion e emisionit “Top Talk”, gazetari Denis Dyrnjaja shtroi pyetjen në drejtim të nënkryetarit të Parlamentit, Myslim Murrizi, se çfarë qëndrimi do të mbajë opozita në parlament, me rastin e shkarkimit të anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Arben Malajt.
Murrizi u shpreh se votat e opozitës do të jenë kundër shkarkimit të Malajt. Duke shtuar se në atë institucion ka edhe persona të tjerë që kryejnë veprime që ka kryer edhe Malaj dhe në qoftë se duhet të ketë shkarkime, masat duhet të merren njësoj.
“Problemi qëndron se nuk ka një raport nga këshilli mbikëqyrës, nga Banka e Shqipërisë që Malaj duhet të shkarkohet. Duke qenë që nuk ka një rregullore të brendshme vetë ky organ që funksionon. Komisioni i Financave sot është nisur nga një vendim i Kuvendit të Shqipërisë 134, datë 20.12.2018. Ka miratuar manualin e monitorimin vjetor dhe periodik pjesë të cilit janë rregulltar për sjelljen publike të gjithë personave të emëruar nga kuvendi”, tha nënkryetari i Parlamentit.
Më tej ai shtoi:
“Nuk është vetëm Malaj që është i emëruar nga kuvendi dhe paska bërë linçime publike politike që bien ndesh me etikën. Shqiptarët duhet të dinë që janë 105 persona që janë emëruar nga kuvendi dhe që bëjnë politikë gjithë ditën dhe nuk lenë asgjë pa etiketuar dhe sharë.”
Top Channel