“Falsifikimi i dokumenteve”, caktohet data për seancën paraprake ndaj Lulzim Bashës në gjykatë

16/12/2019 11:10

Data 13 janar 2020 është përcaktuar për seancën paraprake që do të zhvillohet në Gjykatën e Tiranës për dosjen e lobimit në SHBA dhe ku i akuzuar është edhe kryeopozitari Lulzim Basha.

Fati i Lulzim Bashës varet tashmë nga gjyqtari paraprak. Në gjykatë siç thonë burime të Top Channel do jenë vetëm dy prokurorë para gjyqtarit paraprak, Kol Hysenaj dhe Gjergj Tako, pasi prokurori i tretë Ervin Karanxha është zëvendësuar nga kryeprokurorja e kryeqytetit Elizabeta Imeraj.

Të përfshirë në këtë çështje janë edhe zyrtarë të tjerë të PD-së, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi.

Prokurorët lanë në fuqi vetëm akuzën për “falsifikim dokumentesh” duke rrëzuar akuzën për “pastrim parash” me arsyetimin se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës lobisti Nik Muzin ishte penduar për çështjen dhe kishte kërkuar garanci që mos merrej në pyetje në Shqipëri për të folur.

Dosja e cila në publik njihet si ‘dosja për financimet ruse’ nisi pasi Partia Demokratike kishte deklaruar në KQZ shumën prej 500 mijë dollarësh paguar lobistit Nik Muzin në Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë lobisti i kishte deklaruar këto pagesa që ishin bërë edhe nga kompani si Biniata Trade, me pronësi të ndyshimtë. Akuzat politike për financime ruse ndaj PD-së shpërthyen menjëherë ndërsa Basha e mohoi deri në fund. Më 8 nëntor, kreu i PD e komentoi pozitivisht faktin që Prokuroria rrëzoi akuzën për pastrim parash dhe la vetëm atë për falsifikim, por drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës kërkon që t’i shkohet deri në fund çështjes dhe të merret në pyetje edhe lobisti amerikan Nik Muzin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA