Fshatrat e ish-komunës Tërpan, pjesë e bashkisë së Poliçanit janë drejt izolimit të plotë. Vokopola, Dodoveci ,Balaj e të tjerë janë nën mungesën e infrastrukturës dhe nuk arrijnë dot të lidhen me qendrat e qyteteve dhe rrugën nacionale.
E vetmja urë që shërbente për komunikimin e automjeteve dhe këmbësorëve tashmë është drejt degradimit. Ura e vendosur mbi Lumin e Ujit të Zi rezulton tejmase e shkatërruar, ndërsa dërrasat që përbëjnë bazën e urës janë totalisht të kalbura dhe rrezikshmëria është e madhe për kalimtarët.
Rruga për të shkuar në këto fshatra, më shumë se 20 km e gjatë është e amortizuar, ndërsa në mot me shi pothuajse e pakalueshme.Banorët e këtyre zonave shprehen se është shumë e vështirë për të kaluar në këto rrugë, por janë të detyruar pasi nuk kanë mundësi tjetër .Gjatë muajve të verës kur prurjet e lumit janë të pakta kalojnë në këmbë ose me mjete, kurse në muajt e dimrit kur dhe prurjet janë më të mëdha ata izolohen totalisht nga pjesa tjetër e zonë.
Teksa drejtuesit e mjeteve zgjedhin të kalojnë nëpër lumë, shpesh banorët rrezikojnë duke ecur në këtë urë me trarët pothuajse të kalbur. Ata shprehen se kështu kanë qenë prej vitesh; ku kjo zonë ishte pothuajse e izoluar.
Ndryshimi u duk se erdhi pesë vite më parë, me ndërtimin e urës, por shumë shpejt problemet u shfaqën sërish dhe ura filloi të degradoj e shumë pjesë të saj janë drejt kalbëzimit.
Top Channel