Punimet e para për restaurimet strukturore të dëmtimeve të ndërtesave nga tërmeti në Durrës do të shërbejnë si model për ndërhyrjet e tjera në godinat e dëmtuara.
Në krah të specialistëve të ushtrisë izraelite janë dhe ekspertët shqiptarë, mes të cilëve dhe inxhinierët e teknikët e Sarp &Lab, shpërndarës i autorizuar i kompanisë shumëkombëshe MAPEI në Shqipëri. Inxhinierja Entela Kapllani tregon më tepër për punën që po bëhet për t’i kthyer banesat e riparuara te banorët që janë larguar prej tyre që nga 26 nëntori.
“Kemi hequr betonin ekzistues për të parë gjendjen e hekurave nëse ato janë të dëmtuara apo ndodhen në gjendje normale për të rikrijuar një riparim të kësaj kolone. U verifikua se hekurat nuk janë të deformuara, po kanë korrezion. Është bërë pastrimi i hekurave të kolonës ekzistuese nga korrezioni dhe me një material të posaçëm që e mbron ndër vite hekurin për të mos pasur kontakt me lagështinë e betonit e të korredohet më tej dhe krijon një adezion midis dy materialeve të ndryshme, konkretisht ndërmjet betonit të vjetër me të cilin lidhen gjysma e hekurave dhe mbushjes së kolonës me beton të ri. Betoni i aplikuar për rezistencën e kësaj kolone ka një qëndrueshmëri më të lartë se betoni i mëparshëm dhe pavarësisht kësaj kemi bërë dhe një përforcim me një kolonë metalike përmes ngjitjes me material të posaçëm, pasi janë dy trupa, kolona me materiale të ndryshme”- tha Entela Kapllani, inxhiniere.
Por a janë të sigurta themelet e pallateve, në të cilat kolonat janë dëmtuar dhe a do të vendosen kolonat mbështetëse në çdo kat të pallateve të dëmtuara?
“Meqenëse kolona është në gjendje të mirë dhe nuk ka çedim të objektit nuk besoj se ka probleme në themele. Megjithatë ka ekspertë të tjerë që kanë bërë vlerësimin e kësaj. Kolonat mbështetëse metalike do të vendosen vetëm në ato struktura dhe kolona ku ka pasur probleme, jo në kolonat e tjera ku thjesht mund të jetë shkëputur betoni. Po gjithsesi do të jenë konstruktorët që do të vendosin më tej për këto ndërhyrje. Qëllimi ynë është që ky apartament sot të përfundojë dhe të jetë një standard, një risi, shembull për të gjithë objektet që do të vazhdojnë më tej të rindërtohen”- u shpreh inxhinierja.
Bashkia e Durrësit ka ngritur një strukturë të përkohshme me 100 punonjës ndërtimi të cilët do të kryejnë punimet e rindërtimit në pallatet e ndërtuara para vitit 1993.
Top Channel