Administrata Tatimore e Kosovës ka thënë se vetëm këtë vit u ka konfiskuar pasurinë rreth 136 personave dhe bizneseve të cilët nuk kanë paguar taksat.

Këtë numër e kanë dhënë zyrtarët e ATK-së gjatë një konference për media mirëpo ata nuk kanë dhënë më shumë detaje se çka është konfiskuar.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, ka thënë se Administrata Tatimore e Kosovës, ka shënuar rritje të mbledhjes së borxheve për 42 për qind këtë vit për 30 milionë euro.

“Deri më tani, nga borxhi i trajtuar janë inkasuar 101 milionë euro, që në krahasim me vitin e kaluar kemi rritje të inkasimit të borxhit për 30 milion euro ose 42 %. ATK do të vazhdojnë mbledhjen e borxheve të reja dhe borxheve tjera të papaguara, me theks të veçantë mbledhja e gjobave mandatare dhe konfiskimin e pasurisë për tatimpaguesit që kanë borxhe të pa shlyera”, ka thënë Murtezaj.

Murtezaj ka bërë me dije se derisa po mbahej konferenca për shtyp, inspektorët tatimorë po bënin tri aksione për konfiskimin e pasurisë ku vlera e borxhit është 150 mijë euro.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Administrata Tatimore e Kosovës duhet të qartësojë më shumë në lidhje me procedurën e konfiskimit të pasurisë nga ana e ATK-së.

“Është mirë që administrata tatimore e Kosovës për publikun, të sqarojë më shumë në lidhje me procedurën e konfiskimit të pasurisë, e cila konsiderohet si vepër penale, pasi që konfiskimet apo gjobat të cilat i shqipton ATK-ja në rastet kur bizneset apo qytetarët të cilët nuk i raportojnë të ardhurat e tyre janë në kundërshtim me ligjin apo procedurat administrative atëherë bëhet në njëfarë mënyre bëhet edhe marrja e asaj pasurie”, tha Miftaraj.

Sipas Miftarajt, Kosova nuk qëndron mirë sa i përket konfiskimit përmes procedurave gjyqësore.

“Përderisa, konfiskimi përmes procedurave gjyqësore është një procedurë krejtësisht tjetër e cila në bazë të monitorimit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, si dhe raporteve të tjera ndërkombëtare del që Kosova fatkeqësisht qëndron jashtëzakonisht shumë keq në këtë aspekt”, ka thënë Miftaraj.

Sipas Raportit të Komitetit Ekonomik dhe Social të Komisionit Evropian, i lëshuar në maj të këtij viti, thuhet se Kosova ka arritur përparim në mbledhjen e të ardhurave tatimore.

“Kosova ka njëfarë niveli të përgatitjes në fushën e taksave. Është arritur një përparim në mbledhjen e të ardhurave tatimore, zvogëlimin e ekonomisë gri, si dhe përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit sekondar të taksave”, shkruan në raport.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA