Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka qenë sot në Rrëshen për të parë nga afër gjendjen dhe masat e marra për përballimin e pasojave të tërmetit që ka prekur edhe bashkinë Mirditë.

Ministri Lleshaj vizitoi konviktin e gjimnazit të Rrëshenit ku janë strehuar përkohësisht familjet të cilave u është dëmtuar banesa.

I shoqëruar nga kryebashkiaku i Mirditës Ndrec Dedaj, ai ka bashkëbiseduar me qytetarët në lidhje me situatën e krijuar duke i siguruar se do të ndërmerren të gjitha hapat që atyre t’u sigurohet një banesë e sigurtë, dhe në vazhdimësi, do të jepet mbështetje për strehimin në ndërtesa të reja apo të rikonstruktuara.

Kreu i Bashkisë Dedaj tha se këshilli bashkiak i Mirditës ka marrë vendim për pagesën e qirave të të gjitha familjeve, banesat e të cilëve janë shpallur nga ekspertët si të pabanueshme.

Duke bërë një përmbledhje të gjendjes aktuale, Dedaj u shpreh se “bashkë me Ministrin e Brendshëm vizituam banorët që janë strehuar këtu në konviktin e gjimnazit të Rrëshenit, dhe te shtëpia e murgeshave.

Këta banorë janë strehuar që në momentin e parë që pallatet janë shpallur si të pabanueshme. Sot u shpall i pabanueshëm edhe ky pallati dykatësh, këtu, ku janë zhvendosur 4 familje, që po mendojmë dhe për këto për një strehim të shpejtë”.

Në lidhje me masat e marra nga pushteti lokal për strehimin e përkohshëm të shtetasve që u është dëmtuar banesa, Ndrecaj tha “para dy ditësh kemi marrë vendim të këshillit bashkiak për miratimin e fondit të qirasë prej 3 milionë lekësh (të reja) nga buxheti i vetë bashkisë, dhe në çdo moment këta banorë janë të mbuluar me qira nga bashkia Mirditë.

U bëj thirrje banorëve të jenë të kujdesshëm që të mos kalojnë në rrëzë këtyre pallateve deri sa të jepet zgjidhje përfundimtare, brenda jo e jo, që rrezikohet jeta në çdo moment,” u shpreh Dedaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA