Në Gjirokastër do të fillojë një proces verifikimi i situatës gjeologjike ne disa zona ndërsa janë ngritur dy ekipe të vlerësimit të konstruksioneve në të gjithë qytetin.
Kreu i bashkisë Flamur Golemi i ka kërkuar ndërtuesve të vetëdeklarojnë cilësinë e materialeve të ndërtimit dhe të garantojnë certifikatat e kolaudimit. Njëherazi Golemi kërkoi që hipotekimi i godinave të thellojë kërkesat për cilësinë dhe rregullat e ndërtimit.
Çano Nora gjeolog tërhoqi vëmendjen për situatën problematike të ndërtimeve në zonën muzeale që janë të kërcënuara qoftë edhe nga tërmete me fuqi të ulët si dhe në zonën e Kodrës së Shtufit ku u regjistruan rrëshqitje vitin e kaluar. z. Nora tha se në këtë zonë duhet të ndërpriten ndërtimet ndërsa duhet bërë vlerësimi i kujdesshëm i gjithë ndërtimeve aktuale.
Ndërtuesit e ftuar në takimin që do ti praprijë procesit të rivlerësimit të objekteve garantuan për situatën e mirë të objekteve të ndërtuara gjatë 3 dekadave të fundit ndërsa disa prej tyre bënë thirrje për të inspektuar cilësinë e materialeve të ndërtimit që vijnë prej pikave të furnizimit, sidomos cilësinë e betonit dhe hekurit.
Qarku i Gjirokastrës ka njohur disa tërmete të fuqishme përgjatë historisë si ai i Tepelenës i 1920 me 200 viktima, por edhe tërmete të tjera përgjatë shek. XX si ai i Izvorit, Luzatit, Fushbardhës, Picarit, Lunxhërisë etj.
Për më tepër bashkia hyri në emergjencë gjatë dy viteve të shkuara për shkak të rrëshqitjeve në disa zona, rrëshqitje që prekën sigurinë e banesave për më shumë se 50 familje. Por rasti me tragjik ne Gjirokastër, është shënuar ne 2008, kur një pallat u shemb për shkak te cilësisë se dobët te punimeve. si pasoje e shembjes se pallatit ne atë kohe humbën jetën 9 persona.
Top Channel