Fiks Fare denoncoi veprimet e institucioneve shtetërore dhe të një firme private të cilat arritën të kolaudonin një pallat 8 katësh në Durrës.
Abuzimet me kolaudimin dolën “në dritë” pas tërmetit të 26 nëntorit, ku godina 8 katëshe u shkatërrua. Murët u shembën, ndërkohë që një pjesë e kolonave mbajtëse u dëmtuan. Në vitin 2017, Fiks Fare denoncoi se pallati në afërsi të stadiumit në Durrës, ishte kolauduar në mënyrë abuzive, madje në godinën 8 katëshe nuk ishte vendosur as ashensor. Por, në mënyrë të çuditshme, ai kishte të gjithë dokumentet, që vërtetonin vetëm “në letër” se ishte brënda të gjitha parametrave.
Në 2017, banorët u ankuan në Fiks Fare se firma i ka lënë punimet në mes, ndërkohë që të moshuarit, të sëmurët, gratë shtatzënë, apo edhe fëmijët, ngjisnin përditë shkallët për të shkuar në banesat e tyre. Ata thanë se në kontratat me firmën, kjo e fundit merrte përsipër vendosjen e ashensorit, apo edhe mirëmbajtjen e një pjesë të pallatit. Por, pas ndërtimit, pallati u la në mëshirë të fatit. Disa javë pas denoncimit nga Fiks Fare në 2017, me ndërhyrjen e Bashkisë së Durrësit, në pallat u vendos ashensor.
Megjithatë, abuzimet dolën “në dritë” vetëm pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, ku muret dhe një pjesë e kolonave janë shkatërruar. Nga rruga kryesore duket arredimi që kanë pasur disa apartamente, pasi muret e jashtme janë rrëzuar. Ndërkohë, pjesa e shkallëve dhe vetë ashensori i vënë dy vite më parë, janë shkatërruar, duke hedhur dyshime të forta se kolaudimi i këtij pallati është bërë në mënyrë abuzive. Banorët thanë për “Fiks Fare” se nuk ndjehen të sigurt në atë godinë, pasi ndryshe nga pjesa më e madhe e atyre përreth, pallati 8 katësh është shkatërruar.
“Janë bërë punime të dobëta. Dhe ja, na prishi të gjithë apartamentet, kursimet e jetëve tona” thonë banorët. Sipas tyre, në pallat kanë shkuar disa ekspertë, të cilët kanë pasur mendime të ndryshme. Fillimisht e rrethuan me shirit të kuq, më pas me të verdhë, që ka nevojë për riparime, por të hiqen 3 katet sipër. Sipas tyre, kolonat mund të mbajnë vetëm 5 kate dhe jo.
“Nëse e kanë cilësuar si të banueshme, le të vijë Edi Rama, apo ministrat e tij që kanë nga 3 a 4 shtëpi të banojnë këtu. Nëse nuk më gjejnë strehim, atëherë do të marr fëmijën dhe do ngujohem atje, s’kam ku të shkojë” thotë një banor.
Ndërkohë, në 2017 Fiks Fare u interesua për mënyrën e kolaudimit të këtij pallati edhe në Bashkinë e Durrësit. Kreu i Zyrës së Urbanistikës tha se nuk e di si është kolauduar ky pallat. “Mbajnë përgjegjësi ata që e kanë bërë atë akt, apo zyrtarët e asaj kohe” tha ai.
Top Channel