Kreu i Bashkisë Erion Veliaj deklaron se do të monitorohet tregu imobilar në mënyrë që të mos ketë abuzime dhe të shmangen spekulantët.

Në fjalën e mbajtur në Këshillin Bashkiak ku u miratua bonusi i qirasë për një vit për 554 familjet e para të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, Veliaj theksoi se Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit do të ketë nën kontroll të gjithë procesin.

“I kam kërkuar Agjencisë sonë të Mbrojtjes së Konsumatorit edhe me porosi të kryeministrit, që do u kërkojmë edhe agjencive të tjera qendrore që merren me çështje të konkurrencës dhe tregut që të mos kemi spekulantë që sigurisht nuk mungojnë në raste të tilla. Rasti është mjaftueshëm i rëndë, sa shumica jo vetëm që nuk do spekulojnë me çmimet, por do japin edhe një discount (ulje) ose ndihmën e tyre maksimale për të mos e përdorur të gjithë shumën që jep Bashkia mundësisht edhe të kursehet diçka që të plotësohen nevoja të tjera, teksa ne kemi dhënë 100 % të vlerës së tregut”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh se bonusi i qirasë për familjet do të kalojë në llogaritë bankare të familjeve të prekura nga tërmeti duke filluar që nesër, në mënyrë që të procedohet shpejt më pas edhe me pjesën e merimentimeve të banesave. “Të hënën ne do fillojmë dërgimin në llogari që nesër, por ndërkohë që deri të hënën o në llogari bankare ose në postë në varësi të sistemit me të cilat ata tërheqin pagesën, do të jetë aty dhe pasi të mbarojë këtë listim, do të kalojmë në vendimet e tjera që janë po aq të rëndësishme sidomos për ata që ndoshta nuk janë të pastrehë, por që kanë nevojë për meremetimin apo vendimet e tjera që kanë të bëjnë me demolimin e disa ndërtesave”, tha Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA