Shërbimi zjarrfikës në bashkëpunim edhe me ekspertë të ndërtimit nga Bashkia e Tiranës po ndërhyjnë nëpër pallate për sigurimin e godinave dhe evitimin e aksidenteve.
Ditën e sotme, ekipi i zjarrfikësve ka qenë tek pallatet e njohura si Shallvaret ku po heqin tjegullat e tullat e oxhaqeve që rrezikonin jetën e kalimtarëve. Teksa ka postuar fotot nga heronjtë e heshtur të kryeqytetit që kanë qenë në gatishmëri 24 orë gjatë këtyre ditëve, kryebashkiaku Veliaj i ka bërë apel qytetarëve që të tregohen bashkëpunues dhe të zbatojnë udhëzimet e uniformave bashkiake.
“Te Shallvaret e vjetra po punohet për të hequr me dorë çdo tjegull e tullë të oxhaqeve të amortizuara dhe për të shmangur çdo rrezik për banorët e kalimtarët poshtë! Ju lutem respektoni udhëzimet e uniformave bashkiake – siguria e para, pastaj të tjerat”, thekson Veliaj.
Në të gjithë lagjet e kryeqytetit po hiqen me kujdes soleta, oxhaqe e panele të shkëputura nga tërmeti përpara se të rrezikojnë jetën e kalimtareve.
Top Channel