Institucionet e Kosovës nuk kanë shifra të sakta se sa është numri i personave të ardhur nga Shqipëria, që kanë hyrë në territorin e Kosovës, pas tërmetit që la të vdekur 50 persona. Autoritetet e Kosovës, por edhe organizime të ndryshme, kanë ndërmarrë nisma për të ndihmuar banorët e prekur nga tërmeti në Shqipëri.

Tashmë dihet se një numër i konsiderueshëm i njerëzve nga zonat e prekura nga tërmeti, kanë hyrë në Kosovë. Kryeministri në detyrë i Kosovë, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se në Kosovë, kanë arritur mijëra persona nga Shqipëria, të cilët po evidentohen dhe po strehohen qoftë në baza individuale, qoftë në mënyrë të organizuar institucionale.

“Tashmë Kampi Inovativ Trajnues Kosovaro – Gjerman në Prizren është mbushur në të gjitha kapacitetet që ka dhe jemi duke u angazhuar në evidentimin e personave dhe ofrimin e strehimit”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka thënë se angazhimi i institucioneve që nga dita e parë pas kësaj fatkeqësie, ka qenë institucional dhe i koordinuar dhe kësisoj, ka shtuar ai, duhet menaxhuar edhe veprimet vullnetmira të qytetarëve. Ministria e brendshme thotë se në pikat kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë, nuk është ngritur ndonjë strukturë e veçantë kontrolli për të marrë informacione se ku shkojnë personat që hyjnë në Kosovë. Ndërsa policia e Kosovës thotë se vetëm të enjten në Kosovë, nga Shqipëria kanë hyrë 13505 persona. Në Prizren tashmë është mbushur plot kampi ndërsa janë të shumtë edhe ata që janë strehuar në familjet e qytetit.

Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ftuar qytetarët të cilët duan të ofrojnë ndihmë me ushqime dhe materialet e tjera të nevojshme, t’i dërgojnë në Kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Prizren dhe pastaj ato do të delegohen në mënyrë të kujdesshme dhe të kontrolluar në vendet ku ka nevojë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA