Në Bubq, ndodhej kryeministri Edi Rama për të vlerësuar dëmet që ka lënë tërmeti i 26 nëntorit. Në një bashkëbisedim me qytetarët, kreu i qeverisë dëgjoi të gjithë problematikat e tyre, duke u shprehur se të gjithë familjet e dëmtuara do të pajisen me çadra.
Gjithashtu ai shtoi se do të bëhet raporti i dëmeve të shkaktuara dhe vlerësimi i shtëpive të rrënuara dhe më pas do të ndërtohen shtëpi për të gjithë ata që i kanë humbur mëngjesin e së martës.
“Është dita kur po varrosim të vdekurit, nuk po ju them që do t’ju dërgoj në hotele sepse e di që ju jeni shumë të lidhur me tokën dhe fshatin dhe nuk mundeni që të vendoseni atje. Do të rregullohen të gjitha, nga ju kërkoj vetëm pak durim. Edhe Amerika që është vendi më i madh dhe më i fuqishëm në botë, kur bie uragan i duhen disa ditë që të vendosi çadra dhe të stabilizojë gjendjen”, u shpreh Rama.
Më tej ai shtoi:
“E mora raportin e di kush janë të sistemuar dhe kush jo, brenda pak kohëve do ju sjellim çadra me kushte moderne të izoluara dhe të pajisura me ndriçim. Gjithashtu do të bëjmë edhe inventarin e shtëpive dhe kush shtëpi është rrënuar dhe dëmtuar premtoj që do ti rindërtojmë, por nga ju kërkoj vetëm kohë”, tha kryeministri.
Top Channel