Shifrat e donacioneve dhe kontributeve për familjet e prekura nga tërmeti vijnë në rritje. Një ditë më parë, vetë kryeministri Edi Rama i konsideroi ato inkurajuese kur tha se deri të enjten shuma kish arritur në 5 milionë Euro dhe 1,5 milion dollarë.
Ndërkohë, që nga ministrat e deri tek pensionistët, po kontribuojnë për të prekurit nga tërmeti.
Kosova qëndron në krye ndër vendet fqinjë. Individë si Ministri i Jashtëm në largim, Behxhet Pacolli apo biznesmeni Shefqet Kastrati kanë dhuruar miliona euro ndërsa 4,5 milionë dollarë janë mbledhur nga shoqatat vullnetare përmes llogarish të hapura on line. Elisa Liberatori Funochiaro, Menaxhere Rajonale e GoFundMe për Europën Jug-Lindore, ka folur për mbledhjen e 2,5 milionë dollarëve nga 76 vende të botës, kryesisht nga diaspora shqiptare. Individë nga Kosova kanë kontribuar po ashtu duke arritur në një shumë prej 500 mijë eurosh, nga Austria 600 mijë dhe Maqedonia e Veriut me 100 mijë.
Kosova po kontribuon edhe me karvane kamionësh të ngarkuara me ushqime dhe veshmbathje. Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti që qëndroi në Durrës, e konsideroi „detyrë kombëtare” përkrahjen ndaj të prekurve. Kosova do të vërë në dispozicion Komandantin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, Gjeneral Llejtnant, Rrahman Rama, për të marrë përsipër organizimin dhe logjistikën e ndihmave.
Solidariteti po ngroh të mbijetuarit në dhimbjen e tyre për të dashurit që u mori tërmeti. Por jetët e marra dhe rrënojat e qindra ndërtimeve kanë nxjerrë në rend të ditës identifikimin dhe çuarjen para drejtësisë të kompanive ndërtuese abuzuese dhe individëve përgjegjës në bashkinë e Durrësit apo në atë të Krujës, që dhanë leje për ndërtime jashtë kushteve teknike që përballojnë tërmete në një zonë sizmike apo lejuan shtesa, hapje themelesh që shkaktuan fatkeqësinë e tanishme.
Top Channel