Frika e tërmeteve ka bërë që në bashkinë e Durrësit bustet e figurave të shquara të Jan Kukuzelit, Gjergj Danush Lapacaja dhe Leonik Tomeo të ulen nga mbajtesët e tyre për të qenë më të sigurt.

Por duket se Leonik Tomeo është më “i turpshmi” ndër ta, pasi e kanë “fshehur” pas mbajtëses së tij.

Jan Kukuzeli ishte një murg ortodoks nga Durrësi. Shenjtor, himnograf, mjeshtër dhe teoricien i muzikës kishtare bizantine. Qytetarët durrsakë janë krenarë për këtë figurë duke e kujtuar kontributin e madh e të çmuar dhe duke i dhënë edhe emrin e tij, “Jan Kukuzeli”, Shkollës së Mesme Artistike së qytetit të Durrësit.

Kush është Gjergj Danush Lapacaj?

I pari nga Lapacajët, që u vendos në Monopoli, ishte Danushi, bashkëluftëtar i Skënderbeut. Ky pinjoll i një familje të pasur durrsake, pati themeluar atje një shoqatë edhe një kapelë në faltoren e Shën Pjetrit në Monopoli, të cilën e stolisi me një sërë veprash artistike, sidomos piktura. Sipas një testamenti të shkruar më 14 maj 1535, Danush Lapacaja ia la tërë pasurinë tre djemve të vet; Gjergjit, Anton Kolës dhe Françeskut. E pasaktë është ditëlindja e Gjergjit, autorit të Antifonarit, teksa ditëvdekja daton 1593. Nga F. A. Gleines “Histori e kishës”, bot. Treu 1643, mësojmë se: Gjergj Danish Lapacaja, i biri i Marës, pat zgjedhur karrierën kishtare dhe se shpejt arriti të emërohet Kanonik i kryekishës së Monopolit 1532, e më vonë protonator aposotolik. Gjergji u vendos në Napoli, si mësimdhënës ku më 1542 botoi: “Traktat rreth aritmetikës dhe Gjeometrisë”, vepër e cila u ribotua nëntë herë. Më vonë kaloi në Romë për të punuar në kapelen e selisë papnore. Në ribotimin e fundit të kësaj vepre shkencore (1784), Gjergji, cilësohet Njeriu i shquar për merita shkencore, sidomos të mësimdhënies, por edhe si ing. hidraulik, dijetar erudit dhe njohës i greqishtes së vjetër, latinishtes, italishtes dhe amtares, arbërishtes.

Ndërsa Leonik Tomeu (1456-1531) ishte humanist, filozof, pedagog, letrar e historian. Lindi në Venedik në një familje që kishte mërguar nga Durrësi. Në veprat e tij përmend prejardhjen e vet shqiptare. Studimet i kreu në Francë, në shkollën “aristoteliane”.

Në vitet 1504-1531 në Venedik ishte një ndër intelektualët më të njohur dhe më pas u bë një nga drejtuesit e shoqërisë “Shkolla e shqiptarëve”, qendër e kulturës shqiptare në mërgim. Më 1497 Leonik Tomeu u emërua profesor dhe titullar i katedrës së filozofisë në Universitetin e Padovës. Ishte njohës i thellë i gjuhëve e i letërsive klasike dhe i mendimit përparimtar të lashtësisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA