Ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin deklaroi se së shpejti në parlamentin serb do të paraqitet një strategji mbrojtëse, e cila do të përfshijë, ndër të tjera, një dispozitë e cila parashikon që kërcënimi i sigurisë së serbëve që jetojnë jashtë kufirit nënkupton se rrezikohet automatikisht siguria e Serbisë.
Vulin i tha Radio Beogradit se shteti i Serbisë tani është mjaft i fortë për të mbrojtur njerëzit e tij, dhe shtoi se një Serbi e fuqishme është gjithashtu garantues i paqes në Ballkan. Ky ligj i paralajmëruar, në sytë e një pjese të shtypit kosovar, përbën një sinjal “lufte” të Beogradit me Kosovën, ku politika zyrtare serbe i mëshon fort tezës se serbët e Kosovës ndihen të kërcënuar në territorin e kësaj të fundit.
Ndërkohë që ndodh një gjë e tillë, bashkësia ndërkombëtare, e veçanërisht SHBA me dy të dërguar të posaçëm, po tentojnë çimentimin e stabilitetit në Ballkan përmes vulosjes së marrëveshjes Serbi-Kosovë. Dy ditë më parë, ambasadori amerikan në Serbi, Anthony Godfrey, deklaroi se qëllimi i Amerikës është të inkurajojë dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe të evidentojë përfitimet që do të kishte rajoni nga gjetja e një zgjidhjeje mes Prishtinës e Beogradit.
“Një zgjidhje afatgjate do të ishte ajo të cilën do të gjenin vetë palët, e që do të mund të jetonin me të. Çdo zgjidhje tjetër që është e padrejtë, e pabalansuar apo e imponuar nga jashtë nuk do të zgjaste”, tha Godfrey në një intervistë për televizioni publik të Serbisë.
Top Channel