Kërcënuan me thikë dhe vodhën 800 euro në shtëpinë e studentëve/ Arrestohet 22-vjeçari, një tjetër shpallet në kërkim

25/11/2019 15:02

Një 22-vjeçar ra në pranga nga policia e Durrësit pasi vodhi nën kërcënimin e thikës në banesën e tre studentëve në bashkëpunim me një tjetër autor, i cili mundi të largohet, por u identifikua dhe u shpall në kërkim.

Në një banesë në lagjen nr. 15, Durrës, në të cilën banonin me qira tre studentë, rreth orës 04:00 të mëngjesit kanë hyrë dy persona dhe nën kërcënimin e një thike u kanë marrë 800 euro. Njëri prej studentëve ka njoftuar Policinë dhe është vënë në ndjekje të autorit. Falë reagimit të menjëhershëm të Policisë, dhe ndihmës së banorëve të zonës është bërë e mundur kapja në flagrancë e njërit prej autorëve, konkretisht S. A., 22 vjeç, banues në Vlorë, me precedent penal në fushën e vjedhjes.

Si rezultat i veprimeve të para të kryera nga specialistët për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Durrës u bë i mundur identifikimi i autorit tjetër S. A., banues në Vlorë dhe vijon puna për kapjen e tij. Autorët e dyshuar kishin disa ditë që jetonin me qira në një nga hyrjet e pallatit ku jetonin edhe tre studentët

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 telefona , dy çanta dore dhe një sasi parash. Vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe kapjen e personit të shpallur në kërkim. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA