Ka nisur mbledhja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku pritet që të emërohen 8 prokurorët e parë, të cilët do të jenë anëtarët e parë të SPAK-ut.

“Është një proces që nuk përfundon sot, në 19 dhjetor bëhet efektiv”, deklaroi Gent Ibrahimi, kryetari i KLP-së.

Kështu, në këtë datë, këta 8 prokurorë do të kryejnë betimin para Presidentit dhe ky vendim hyn automatikisht në fuqi.
Lista e anëtarëve: Altin Dumani, prokuror në Prokurorinë e Apelit Tiranë; Arben Kraja, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme; Behar Dibra, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda; Edvin Kondili, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda; Elida Celami (Kaçkini) prokurore në Prokurorinë e Tiranës; Ened Nakuçi, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda; Enkeleda Millonai, prokurore në Prokurorinë e Elbasanit dhe Klodian Braho, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Gjatë mbledhjes janë miratuar me 11 vota pro, projekt -aktet për emërimin e 8 (tetë) prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme. Komisioni i Posaçëm për SPAK nisi sot një kërkesë për shprehje të interesit për pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Gara është e hapur për një afat kohor prej 15 ditësh nga sot.

Gent Ibrahimi propozon se çdo anëtar do të votojë duke shpjeguar pikëzimin e tij për çdo kandidat për pozicionin e drejtuesit për SPAK në një formular pikëzimi pasi do të njihen me platformën konkurruese të secilit.

“Zgjedhja e drejtuesit të SPAK do të kalojë në Këshill, jo vetëm si vendimarrje e Komisionit të Posaçëm në Këshill. Na lejoni të kemi hapësirën për të vlerësuar titullarin e SPAK, secili anëtar të vlerësojë në mënyrë transparente kandidatet për këtë pozicion”, u shpreh nga ana tjetër Nurihan Seiti.

Ndërkohë Kosta Beluri u shpreh:

“Vlerësimin duhet ta bëjë Keshilli edhe për të siguruar seriozitet dhe transparencë për publikun.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA