Nënpresidenti amerikan, Mike Pence ka arritur në Irak, në një vizitë të paparalajmëruar, që vjen në kohën e rritjes së tensioneve në rajon dhe përpjekjeve të qeverisë në Bagdad për të shtypur protestat.
Agjencia Associated Press ka cituar një zyrtar të ketë thënë se Pence ka arritur në provincën Anbar, që gjendet në perëndim të Irakut, ku trupat amerikane janë të vendosura në bazën ajrore Ain al-Asad.
Kjo është vizita e parë zyrtare e Pence në Irak. Presidenti amerikan, Donald Trump kishte vizituar po ashtu Irakun vitin e kaluar.
Vizita e Pence vjen në kohën kur Qeveria e Irakut po përballet me pakënaqësi të mëdha të publikut, të cilët po organizojnë protesta dhe në kohën e rritjes së tensioneve në rajonin e Lindjes së Mesme.
Reuters ka cituar një burim brenda zyrës së kryeministrit irakian, Adel Abdul Mahdi, të ketë thënë se ai do të takohet me nënpresidentin amerikan, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar lidhur me këtë takim.
Në përleshjet ndërmjet forcave të sigurisë irakiane dhe protestuesve, kanë lënë të vdekur mbi 340 persona, që prej se protestat anti-qeveritare nisën më 1 tetor, për të kundërshtuar korrupsionin, vdekjet në vendin e punës dhe mungesës së shërbimeve bazike./Evropa e Lirë
Top Channel