Në seancën e jashtëzakonshme të parlamentit ku u diskutua dhe miratua rezoluta ku i kërkohej presidentit Ilir Meta ti jepte fund shkeljeve të kushtetutës kryeministri Edi Rama tha:
“Ky Kuvend duhet të marrë masa ligjore kushtetuese, për të krijuar të gjithë mekanizmat zhbllokues ndaj çdo akti flagrant dhe brutal bllokimi të atij që zyrën e Presidentit e ka kthyer në një frëngji për të shantazhuar Parlamentin, për të shantazhuar ndërkombëtarët, për të shantazhuar popullin shqiptar. Në dritën e kësaj ngjarjeje të re, Komisioni i Ligjeve dhe gjithë deputetët duhet të kontribuojnë për të riardhur këtu në Kuvend, më shpejt se vonë dhe për të votuar këtu neutralizimin e akteve të Presidentit, e akteve antikushtetuese dhe antiligjore” do të deklaronte kryemistri.
Kjo deklaratë e kryeministrit Edi Rama në parlament ishte sinjali i parë për ndërhyrje ligjore.
Përballë deklaratave të forta me tone populiste, të presidentit Ilir Meta duke kërkuar çuarjen e shqiptarëve drejt një referendumi, maxhoranca e kryeministrit Edi Rama është duke shqyrtuar mundësinë e ndryshimeve të kushtetutës.
Gazetari i Top-Channel Muhamed Veliu ka mësuar se maxhoranca ka nisur ditët e fundit konsultimet me ekspertët ligjor të PS dhe anëtarët e komisionit të ligjeve. Konsultimet kanë prodhuar dy qasje se si duhet të zgjidhet ngërçi me Gjykatën Kushtetuese.
Disa prej ekspertëve kanë sugjeruar ndërhyrje në kushtetutë e pikërisht në ato nene që lidhen me gjykatën kushtetuese. Ndryshimet mund të prekin ato aspekte që dolën në pah si problematike për të përmbyllur me sukses plotësimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ndërsa disa prej ekspertëve të tjerë i kanë mëshuar qëndrimit për ndryshime vetëm në ligjin për reformën në drejtësi.
Pikërisht ky propozim është pjesë e rezolutës për presidentin Meta, miratuar në parlament ku thuhet se “Kuvendi Shqipërisë në kuadër të frymës zhbllokuese të reformës në drejtësi angazhohet të rishikojë legjislacionin për të penguar krijimin në të ardhmen të situatave që bllokojnë në mënyrë abuzive funksionimin e organeve kushtetuese të vendit”.
Por a do të shkojë maxhoranca qeverisëse deri në ndryshime të gur-themelit të Republikës siç është kushtetua?
Përgjigja e kësaj pyetje nuk do të jetë e largët, përballë ofensivës në të cilën është vënë maxhoranca dhe ndërkombëtarët prej kreut të shtetit Ilir Meta.
Muhamed Veliu
Top Channel