Në kongresin e partisë kristiandemokrate, CDU që u zhvillua në Lajpcig, kryetarja e CDU-së, Kramp-Karrenbauer e forcoi pozicionin e saj. Se kush do të futet në garën e kancelares, nuk u vendos, por u vendosën piketat.
Në kongresin e CDU-së, që përfundoi në Lajpcig të shtunën, Partia Kristiandemokrate tregoi se di të ruajë unitetin. Kongresi ishte më shumë një shkëmbim i vakët i qëndrimeve, se një përplasje e ashpër, siç u përfol në media më parë. Kongresi refuzoi kërkesën e Unionit të të Rinjve (JU) për një votim të gjerë të anëtarëve për të vendosur mbi kandidaturën për kancelar/e. Të rinjtë kristiandemokratë argumentojnë, se një parti moderne, duhet të dëgjojë bazën e vendimin për kandidatin apo kandidaten për kancelar të mos e marrë në „dhomat e pasme”. Por Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Paul Ziemiak paralajmëroi ndërkohë, se marrja me muaj vetëm me veten, mund ta dëmtojë partinë, si ndodhi tek SPD-ja.
Huawei, digjitalizimi, pensionet
Mjaft tema u diskutuan në dy ditët e kongresit, pasi kryetarja e partisë, Annegret Kramp-Karrenbauer, ia doli të shtrëngojë radhët e delegatëve me çështjen e papritur të votëbesimit që shtroi e miratimit që mori për veten. Në kongres u morën disa vendime për tema të debatuara. CDU kërkon të mbrojë rrjetin mobil gjerman nga përgjimi i mundshëm nga Kina e shtete të tjera. Në zgjerimin e rrjetit 5G do të marrin pjesë ato firma „ku është i përjashtuar ndikimi përmes një shteti të tretë në infrastrukturën e rrjetit 5G.” Vendimi nuk përmend emra, por kuptohet, se është adresuar Huawei, koncerni kinez i Telekomit, për të cilin debatohet në Gjermani, se mund të instrumentalizohet nga Kina.
Në kongresin e saj, CDU vendosi edhe për përmirësimin e infrastrukturës së digjitalizimit. Ajo duhet kuptuar si „shërbim i rëndësishëm publik” thuhet në „Kartën digjitale”, dokumentin e miratuar posaçërisht në kongres. CDU dënon me „vendosmëri të plotë” gjuhën e urrejtjes dhe nxitjen e saj në internet.
Ndërsa lidhur me çështjen e pensioneve, aq të debatuar në Gjermani, kristiandemokratët u shprehën, se do të mbeten tek kompromisi i arritur me SPD për pensionin bazë, por duhen respektuar të gjitha kushtet për të. CDU-ja do të shtojë atraktivitetin për pensionin e ashtuquajtur „Riester”, ku krahas kontributit të punëmarrësit, edhe shteti jep një shumë të caktuar parash në vit. Oferta më atraktive duhet të bindin njerëzit për të investuar më shumë në sigurimin privat të pensionit.
Partia theksoi edhe njëherë bindjen e saj për frenimin e borxheve dhe „zeros së zezë”-mos marrjen e borxheve të reja. Ajo parashikon, që për të forcuar ekonominë gjermanë të lehtësohen sipërmarrjet nga tatimet dhe të reduktohet burokracia. Vendimin për një kuotë të detyruar për gratë në poste dhe mandate, CDU-ja e ka shtyrë për vitin e ardhshëm.
Si traditë flet në kongresin e partisë CDU, edhe kreu i partisë kristiansociale, CSU. Markus Söder premtoi para delegatëve të CDU-së, se nuk do të ketë më përplasje, si në rastin e krizës së migracionit, dhe deklaroi si kundërshtar të përbashkët, Të Gjelbrit. Kurse si armik ai deklaroi partinë populiste të djathtë, AfD. „AfD është NPD-ja e re”, tha Söder, e „me njerëz të tillë nuk bën asgjë, por vetëm i lufton ata.”/DW
Top Channel