Pas shpalljes si “Kryeqyteti Europian i Rinisë” për vitin 2022, Tirana ka marrë një tjetër vlerësim të rëndësishëm ndërkombëtar në Bilbao të Spanjës.

Një juri e specializuar e PICSA në fushën e urbanistikës dhe e biznesit vlerësoi Bashkinë e Tiranës me çmimin “Për praktikat më inovative për përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje”.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku ishte në Bilbao për të tërhequr çmimin dhe për të prezantuar disa nga nismat e ndërmarra në kryeqytet gjatë këtyre katër viteve dhe përfshirjen e qytetarëve. “Është një frymëzim sesi mund të ndryshojnë gjërat. Qenia këtu është një mundësi për të mësuar më shumë e më mirë nga njëri-tjetri, si të jemi më të përfshirë dhe në gjendje të përmirësojmë mënyrën sesi u shërbejmë qytetarëve tanë”, tha nënkryetari Mazniku.

Duke sjellë shembullin e suksesshëm të aksionit për mbjelljen e pemëve, Mazniku nënvizoi se transformimi që ka pësuar Tirana vitet e fundit ka ardhur falë energjisë së re të krijuar përmes përfshirjes të sa më shumë njerëzve. “Së pari, një falenderim për qytetin e Bilbaos që na mikpriti, e së dyti për EBRD-në që na propozoi. Mendoj se një nga rregullat më të mëdha që një nismë të ketë sukses është përfshirja e sa më shumë njerëzve. Kjo është pikërisht ajo që bëmë edhe me nismën e pemëve: ftuam njerëzit të mbjellin pemë”, theksoi ai.

Në raportin e saj, PICSA vlerëson 113 qytete nga e gjithë bota për prosperitetin gjithëpërfshirës dhe zhvillimin ekonomik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA