Pasi Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli të pafajshëm Suel Çelën i akuzuar si njëri nga protagonistët e 18 shtatorit 2017 në qytetin e Elbasanit, ka reguar Partia Demokratike.
Përmes një deklarate, PD shprehet se shpallja i pafajshëm i banditit të rrezikshëm të Elbasanit Suel Çela, shërbëtor i pushtetit të Edi Ramës, provoi në mënyrë të përsëritur se me Edi Ramën në qeveri drejtësia nuk është e lirë të ndëshkojë krimin.
Më tej thuhet:
“Mesazhi që iu dha sot shqiptarëve është se kriminelët e pushtetit, ata që blejnë vota për karrigen e Edi Ramës janë të paprekshëm! Kur kriminelët vjedhin zgjedhjet për Edi Ramën, kur bëjnë drogë me lejen e pushtetit të Edi Ramës, kur godasin policinë dhe e çnderojnë atë me mbrojtjen e Edi Ramës, drejtësia është e pafuqishme të bëjë drejtësi.Duke shpallur të pafajshëm kriminelët e pushtetit, rrëzohet çdo iluzion për drejtësinë e pavarur. Të gjithë e kanë mësuar se drejtësia është plotësisht në dorën e Edi Ramës dhe të krimit. Vendi ka nevojë jetike për ndarjen e politikës nga krimi, ka nevojë për zgjedhje të lira, të pandikuara nga kriminelët, si dhe për një qeveri të re, që e ka fatin të lidhur me qytetarët dhe jo me kriminelët.”
I akuzuar si fillim për vrasje të oficerëve të policisë të ngelur në tentativë, Suel Çela u konsiderua i pafajshëm edhe për veprën e kundërshtimit të forcave të policisë.
Gjykata tha gjatë vendimit se prokuroria e krimeve të rënda nuk arriti të vërtetojë me prova përfshirjen e Suel Celës në ngjarjen e tregut agroushqimor.
Prova e gjetur në automjetin Audi që shfaqet edhe në kamerat e sigurisë nuk tregon nëse në momentin e ngjarjes ka qenë apo jo i pranishëm Suel Çela argumentoi më tej gjykata.
Gjykata shtoi se provat tregojnë që Enea Bekteshi ka qenë në makinën Audi që qëlloi në drejtim të policisë e cila gjendej në postbllok në tregun agroushqimor.
Por Bekteshi ka reaguar i vetëm tha gjykata dhe kjo gjë rrëzon akuzën e grupit të strukturuar kriminal. Për këtë ngjarje Bekteshi u shpall fajtor dhe u dënua me gjashtë vite burgim, ndërkohë që Klement Xhaferri u dënua me pesë vite burgim për armëmbajtje dhe largim nga vendi i qëndrimit si i paraburgosur.
Top Channel