“Evropa nuk ia kthen shpinën Ballkanit Perëndimor”

20/11/2019 10:47

Ministrja e Jashtme e Finlandës, Tytti Tuppurainen theksoi se Evropa nuk do t’ia kthejë shpinën Ballkanit Perëndimor.

Pas debatit në Këshillin e BE-së, shefja e diplomacisë finlandeze tha se shtetet anëtare shpalosën përshtypjet e para rreth propozimit francez për metodologjinë e zgjerimit të BE-së, por se marrëveshja eventuale mund të arrihet vetëm pasi të fillojë me punë Komisioni i ri i BE-së, pra në pranverën e ardhshme.

“Kishim tryezë të rrumbullakët, ku kuptohet se dëgjuam propozimin francez dhe pati shtete që e mirëpritën dhe shtete që kishin dilema për të njëjtën. Qëndrimi i përbashkët është se të gjithë presim që Komisioni të fillojë mandatin sa më parë që është e mundur dhe të propozojë ide se si të lëvizim përpara në politikën e zgjerimit. Është herët të flitet për ndikim e mundshëm në Ballkanin Perëndimor”, tha Tuppurainen.

Ministria e Jashtme gjermane është shprehur se reforma e zgjerimit të BE-së nuk duhet të vonojë çeljen e negociatave.

“I njohim sugjerimet e qeverisë franceze për reformën e zgjerimit të BE-së. Ne jemi të hapur për të diskutuar për përmirësimin e procedurave te zgjerimit për sa kohë që kjo nuk vonon çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut,” thuhet në përgjigjen e ministrisë së Jashtme.

Ndërkohë sekretarja shtetërore franceze, Montchalin mes rreshtash thotë se metodologjia e re e zgjerimit kërkon harmonizim jo vetëm ligjor.

“Ne nuk i ndryshojmë rregullat në mes të lojës. Shohim se procesi nuk funksionon sepse është shumë i ngadalshëm për ata që marrin pjesë në të. Procesi nuk udhëhiqet politikisht, ka automatizëm dhe para së gjithash, popujt nuk e gjejnë veten aty”, tha Montchalin.

Propozimi francez parashikon që shtetet kandidate të kalojnë shtatë faza në mënyrë që të integrohen si anëtare të plotfuqishme të BE-së. Franca pret që metodologjia e re mbi bazë të propozimit të bërë dhe rekomandimeve të shteteve anëtare dhe atyre kandidate të miratohet deri në vitin 2020.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA