Kreu i KED-së, Ardian Dvorani i vendosur në qendër të ciklonit të akuzave nga presidenti Ilir Meta, nga emisioni “Top Talk” në Top Channel tha se është e paparë deri më sot që 1 kallëzim presidenca e çon në 3 prokurori.
“Është një akuzë një kallëzim i mbështetur mbi të vërteta dhe të pavërteta të dukshme me anë të cilave pastaj tentohet të krijohet përshtypja se ka shkelje të kushtetutës dhe ligjit nga ana ime si kryetar i KED-së. Fillesa mbi bazën e të cilit presidenti republikës ka ngritur këtë akuzë është që unë nuk kam respektuar parashikimet e kushtetutës. Kjo është tërësisht e gabuar duke qenë që është tërësisht e gabuar si interpretim pastaj e gjithë pjesa që vjen më mbrapa automatikisht nuk qëndron”, u shpreh Dvorani.
Ardian Dvorani hedh poshtë pretendimet e presidentit se kuvendi nuk respektoi radhën e zgjedhjeve të kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese.
“Radha është një koncept që interpretohet në mënyrë tërësisht të gabuar dhe pastaj vendimet e këshillit për të dërgimin e listave pranë organeve është një veprim që nuk ndikon absolutisht fare në respektim të kushtetutës dhe ligjit dhe nuk mund të ngarkojë me përgjegjësi penale personin tim në rastin konkret”, tha Dvorani.
Por sa përgjegjës është zoti Dvorani për kaosin në Kushtetuese?
“Absolutisht që jo. Kjo nuk është një përgjegjësi e imja për mënyrën se si e ushtron kompetencën dhe detyrën e tyre kushtetuese organet e emërtesës kjo është përgjegjësi dhe përgjegjshmëri e tyre. Nëse nisesh nga ideja që radha është nga dita kur presidenti apo kuvendi merr vendimin e miratimit të kandidaturës kjo është një tjetër çështje. Por mendoj se është tërësisht jo korrekte në aspektin juridik”, shtoi Dvorani.
Për legjitimitetin e Marsida Xhaferllarit në kushtetuese Ardian Dvorani deklaroi:
“Si mundet të shkosh në vendin e katërt? Duhet ta japë dikush këtë shpjegim. Duhet të japin argumentet përse kjo shprehje afermative që quhet në gjuhën profesionale kjo shprehje e prerë e kushtetutës për tre vendet e para e cila përsëritet vazhdimisht dhe në ligj nuk është respektuar.”
Top Channel