Në një reagim të gjatë të publikuar sot, Avokati i Popullit ka bërë publike disa gjetje paraprake mbi veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, institucion që bën vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese, si dhe mbajti një qëndrim sa i përket konfliktit për zgjedhjen e anëtarëve të kësaj gjykate.
Konflikti për “Kushtetuesen”, Avokati i Popullit për KED: Nuk mund t’u imponohet organeve të tjera
Avokati i Popullit paralajmëron edhe ngritjen e një padie kundër vendimit të KED për krijimin e një “dhome këshillimi”, ku anëtarët mblidhen, diskutojnë dhe vendosin për kandidatët që pikëzohen për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, por edhe për Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë.
Sipas AP, ky vendim është një kufizim i mëtejshëm i transparencës së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Ky institucion thekson se ka përgatitur padinë përkatëse për të goditur këtë akt nënligjor.
“Më konkretisht, KED ka miratuar një rregullore në të cilën prezanton konceptin e dhomës së këshillimit në mbledhjet e këtij organi administrativ, gjë e cila jo vetëm nuk është e parashikuar në ligj, por edhe nëse do i referoheshim teorisë të së drejtës, është një koncept i përdorur në procedurat gjyqësore dhe jo në ato administrative. Kështu, sipas pikës 41 të Vendimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, nr.4 datë 11.03.2019 “Për procedurën e verifikimit të kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, është vendosur që: “Bisedimet e çështjes, si dhe votimi i vendimit, bëhen vetëm me praninë e anëtarëve të Këshillit». Duke vlerësuar një parashikim të tillë në kundërshtim me kompetencat që Kushtetuta dhe ligji që cituam më siper i kanë dhënë institucionit tonë, ne kemi përgatitur padinë përkatëse për të goditur këtë akt nënligjor, por për të mos penguar procesin e krijimit të Gjykatës Kushtetuese, kemi pritur për depozitimin e padisë deri në përfundimin e procesit nga ana e Këshillit për të evidentuar tërësisht problematikat që mund të përfshihen në këtë padi, por edhe për të mos dëmtuar imazhin e reformes së drejtësi. Pra, shumë shpejt ne do të paraqesim këtë padi në gjykatën administrative të apelit, me objekt shfuqizimin e disa prej neneve të dy prej rregulloreve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”, thuhet në deklaratën e Avokatit të Popullit.
Sipas Kushtetutës, KED i bën mbledhjet me dyer të mbyllura, por gjithnjë në prani të vëzhguesve, ndër të cilët është edhe Avokati i Popullit. Por në “dhomën e këshillimit”, përfaqësuesi i Avokatit të Popullit nuk pranohet dhe për rrjedhojë diskutimet dhe vendimet mbi kandidatët për gjykatën më të lartë në vend, ashtu siç deklaron edhe AP, nuk janë transparente.
E njëjta procedurë në dhomën e këshillimit do të ndiqet edhe për drejtuesin e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, i cili njihet edhe si “gardiani i drejtësisë” për shkak se do të monitorojë dhe vlerësojë punën e çdo prokurori dhe gjyqtari në Shqipëri, duke paraqitur edhe masat përkatëse.
/k.s
Top Channel