“Unë nuk mendoj që sot Shqipëria ka nevojë për emra të përveçëm, mendoj që sot Shqipëria ka nevojë për një zgjidhje të krizës politike në të cilën ne gjendemi”, kështu u shpreh në një komunikim me gazetarët kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.
“Ngritja e Gjykatës Kushtetuese është një hap përpara zgjidhjes së këtij problemi sepse duke u ngritur Gjykata Kushtetuese, duke filluar funksionimi i saj do të jetë një garanci për opozitën. Mos të harrojmë që largimi i opozitës në shkurt nga Parlamenti dhe djegia e mandateve vinte edhe si rezultat i mungesës së Gjykatës Kushtetuese ku shumë problematika ose shumë shkelje, jo vetëm të Kushtetutës por edhe të të drejtave të njeriut që i janë bërë opozitës në Parlamentin Shqiptar nuk kishin më se ku të gjykoheshin. Kështu që, rifillimi I këtij institucioni do të krijonte hapësira shumë të reja”, tha ajo më tej.
“Jam e bindur që Z. Rama do të vazhdojë dhe do të luajë që për të gjitha veprimet që ka marrë tani mazhoranca është dakordësuar me partnerët strategjikë, SHBA-të dhe BE por unë dua të theksoj edhe një herë, SHBA-të kanë vetëm një qëndrim ndaj Shqipërisë, zbatimi i Kushtetutës dhe larg duart e partive politike nga sistemi i drejtësisë. Larg duart një herë e përgjithmonë të politikës nga sistemi i drejtësisë në mënyrë të tillë që pandëshkueshmëria të mos jetë më vlerë e qeverisjes dhe partive politike por pandëshkueshmëria të harrohet në Shqipëri dhe të ndëshkohen të gjithë ata që shkelin ligjet, Kushtetutën dhe janë të përfshirë në krimin e organizuar dhe në të gjithë proceset korruptive që kalon sot Shqipëria”, përfundoi ajo.
Top Channel