Në një kohë kur përplasja Qeveri-Presidencë ka arritur një tjetër pikë të nxehtë me ngërçin e krijuar në Gjykatën Kushtetuese, kryeministri Edi Rama kërkoi sot që komisioni i përkohshëm parlamentar i ngritur për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, të çojë në Kuvend paketën me rekomandime.
“Asnjë Kushtetutë në asnjë vend demokratik nuk mund të parashikojë se një vendi mund t’i bjerë taksirati të ketë një President si Ilir Meta. Për këtë arsye, ky Kuvend duhet të marrë masa ligjore, kushtetuese, për të krijuar të gjitha mekanizmat zhbllokuese ndaj çdo akti flagrant bllokimi të atij që zyrën e Presidentit e ka kthyer në frëngji për të shantazhuar Parlamentin, për të shantazhuar ndërkombëtarët, për të shantazhuar popullin shqiptar. Besoj se komisioni ‘ad hoc’ i ngritur për shkarkimin e Ilir Metës duhet ta konsiderojë seriozisht paketën e rekomandimeve për Kuvendin, ashtu sikurse në dritën e kësaj ngjarjeje të re, Komisioni i Ligjeve dhe të gjithë deputetët duhet të kontribuojnë për të ardhur këtu në Kuvend dhe për të votuar këtu neutralizimin e akteve të Presidentit, akte antikushtetuese dhe antiligjore”, tha Rama.
Rama tha gjithashtu se: “Na ka rënë ky taksirat, i ka rënë ky taksirat shqiptarëve dhe do të bashkëjetojmë me këtë taksirat për sa kohë që zyra e Presidentit të Republikës do të jetë “tokë e xanun” nga dikush që ka humbur busullën”.
Komisioni i përkohshëm parlamentar për shkarkimin e Metës u ngrit për të hetuar shkeljet e pretenduara të Presidentit me anulimin e 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale. Por pas opinionit të Komisionit të Venecias se “tejkalimi i kompetencave nga Presidenti nuk përbën shkelje të mjaftueshme për shkarkimin”, puna e këtij komisioni ka mbetur në hije, për t’u rikthyer tani me përplasjen për “Kushtetuesen”.
Platforma kundër “KÇK”-së, Rama: Do tundë themelet e çdo pasurie të krimit
Kuvendi miraton rezolutën kundër dekretit të Metës në Gjykatën Kushtetuese!
Ilir Meta në konferencë të jashtëzakonshme për shtyp
Top Channel