Nga seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, kryeministri Edi Rama lëshoi akuza të forta për presidentin Ilir Meta, për shkak të ngërçit të krijuar me Gjykatën Kushtetuese. Sa i përket zgjedhjes së dy anëtareve të kësaj gjykate nga mazhoranca dhe hyrjes automatikisht të anëtares tjetër, Arta Vorpsi, Rama tha se veprimet janë dakordësuar 100% me aleatët strategjikë të Shqipërisë.
“Për të gjithë ata që e ndjekin këtë episod të ri të përplasjes së Ilir Metës me drejtësinë, dua të them se përpara se ne të vendosnim për të zgjedhur dy anëtaret e reja të Gjykatës Kushtetuese dhe duke marrë të mirëqënë hyrjen e anëtares tjetër për shkak të mos zgjedhjes në kohë (nga Meta), jemi dakordësuar 100% me aleatët strategjikë dhe i jemi referuar 100% opinioneve të dhëna nga ekspertët e tyre”, tha Rama.
Kreu i Qeverisë kritikoi qëndrimet e Presidentit ndaj përfaqësive të huaja, duke i konsideruar jo komode dhe të turpshme.
“Jemi përballë si Kuvendi i Shqipërisë me njeriun që e ka humbur busullën dhe nga institucioni i Presidentit sulmon nga të katërta anët duke qenë ne këtu 100% në të njëjtën linjë me SHBA dhe BE. Është e lehtë të kuptohet se pse si çdo herë tjetër Ilir Meta nuk kupton dy aleatët e Shqipërisë duke na vënë të gjithëve në pozitë jo komode dhe të turpshme. Insinuon haptazi se këto përfaqësi të nderuara të shteteve, që janë qysh në ditën e parë të procesit të reformës në drejtësi promotore dhe mbështetëse të kësaj reforme, akuzohen si të korruptuara. Nuk ka më turp dhe pas kësaj nuk ka më nevojë të zgjatemi dhe të stërzgjatemi me arsyet që na sjellin këtu dhe drejtësinë e vendimmarrjeve tona”, tha Rama.
Prandaj, shtoi Rama, këtë herë unë nuk do të merrem me Ilir Metën, por me drejtësinë. Me drejtësinë që është ende në ardhje dhe që ende kërkon shumë vullnet, shumë durim dhe shumë mbështetje nga ana jonë.
Top Channel