Hapet rruga për udhëtimet liqenore të Pogradecit, mbërrin trageti turistik për shëtitjet në ujërat e Ohrit. Projekti i shumëkërkuar në shërbim të turizmit në qytetin e Pogradecit shumë shpejt do të jetë një realitet për ata që dëshirojnë të lundrojnë në ujërat e liqenit.
Jo vetëm Pogradeci por edhe Ohri e Struga, qytetet që shtrihen buzë vijës liqenore do të jenë itineraret që do të përshkojë trageti turistik. Me kapacitet prej 150 vendesh, ky është trageti i parë turistik shqiptar i cili do të lundrojë përgjatë vijës liqenore nga Pogradeci drejt Maqedonisë së Veriut.
Pas thuajse 5 vitesh nga nënshkrimi i marrëveshjes, e cila funksiononte vetëm për palën e Maqedonisë së Veriut edhe për palën shqiptare është bërë realitet trageti i cili do ë ofrojë shëtitjet përgjatë vijës liqenore.
Sjellja e tragetit në Pogradec është mundësuar nga Bashkia e Prefektura në bashkëpunim me operatorët privatë, ndërkohë që shumë shpejt pritet të nisë edhe funksionimi i kësaj linje me nisje nga Pogradeci.
Trageti me emrin “Tina Turist” do të ofrojë edhe shërbimin e barit dhe restorantit gjatë shëtitjes në liqenin e Ohrit, duke ofruar një eksperiencë të veçantë për të gjithë ata që zgjedhin ta provojnë. Për qytetin e Pogradecit që prej fillimit të pranverës i shumëfishohen turistët ky traget pritet të ketë një impakt pozitiv si një atraksion i shtuar në funksion të zhvillimit të turizmit.
Top Channel