Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj u prit sot në mesditë nga Zv.kryeministri dhe Ministri i Brendshëm i Çekisë, Jan Hamàček. Vizita zyrtare u zhvillua në vijim të takimit në pranverën midis dy ministrave, në Tiranë.
Ministri i Brendshëm i Çekisë shprehu mbështetjen e hapur dhe të fortë të vendit të tij, në procesin e hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se Qeveria Çeke kishte lobuar tek vendet skeptike, në favor të një vendimi pozitiv për Shqipërinë pa asnjë kusht. Ai theksoi se vetëm kështu Europa do të jetë më e sigurt, duke përfshirë edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor si pjesë të saj.
Ministri Lleshaj tha se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në një nivel shumë të mirë si politik, ekonomik e bashkëpunim policor.
Ministrat ranë dakord për të thelluar bashkëpunimin shumë të mirë mes dy policive, duke u fokusuar tek Policia Rrugore, Policia Shkencore dhe në fushën e krimit kibernetik.
Ministri i Brendshëm çek duke falënderuar për mbështetjen e Shqipërisë për Zv.presidente të Interpolit, znj. Hànkova, nënvizoi gjatë takimit se Çekia do të vlerësonte çdo hapësirë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në Interpol.
Gjithashtu, dy homologët nënshkruan në Pragë një Memorandum Mirëkuptimi për mbështetje të autoriteteve shqiptare të zbatimit të ligjit në luftën kundër krimit kompjuterik.
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj u shpreh pas takimit:
Kam kënaqësinë që sot të zhvilloj një vizitë në Pragë dhe të takoj Ministrin e Brendshëm të Republikës Çeke, me të cilin diskutuam për çështjet e shumta, të cilat rregullojnë marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Republikës Çeke në shumë aspekte, përfshirë edhe aspektin e punëve të brendshme dhe të sigurisë publike.
Vërej me shumë kënaqësi, angazhimin e madh të Qeverisë Çeke për mbështetjen e perspektivës europiane të Shqipërisë. Mbështetje, e cila ishte jashtëzakonisht e qartë dhe e fortë në të gjithë procesin e hapjes së negociatave, ku Qeveria Çeke mbështet pa kushte Shqipërinë dhe po ashtu angazhohet që edhe në të ardhmen ky angazhim të vazhdojë, për ta mbështetur perspektivën europiane të Shqipërisë, si e vetmja rrugë, e cila mbetet përpara vendit tonë, por edhe përpara Europës, për t’u kompletuar, për t’u bërë e plotë, ashtu siç duhet të jetë.
Konstatuam me kënaqësi që niveli i marrdhënieve në fushën e sigurisë është shumë i mirë, perspektiva e zhvillimit të tyre është po aq e rëndësishme dhe e mirë.
Diskutuam lidhur me projekte të ndryshme, të cilat do të zhvillohen në një të ardhme të afërt. Këto projekte kanë të bëjnë me sigurinë rrugore, me Policinë Shkencore, patrullimin e përbashkët të policëve shqiptarë dhe çek në Shqipëri gjatë sezonit turistik, si dhe diskutuam shumë çështje të tjera.
Top Channel